Vadim Shishimarin, fëmija rreshter i akuzuar për krime lufte në Ukrainë

Sytë i mbante të ulur dhe nuk tha asnjë fjalë.

Rreshteri dhe i dyshuari për krime lufte, Vadim Shishimarin, ndodhej në bankën e të akuzuarve dhe ka një mur celularësh dhe kamerash që e filmojnë atë.

Është ai, njeriu i ditës së kësaj lufte.

Ai, me xhupin e tij gri dhe blu, me 21 vitet e tij, me flokët e rruar dhe fytyrën e tij si fëmijë.

Shishimarin akuzohet për “shkelje të ligjeve dhe zakoneve të luftës” dhe dje pa për herë të parë gjyqtarët e Gjykatës së Qarkut Solomianskyi në Kiev në seancën paraprake.

Do të jetë në dorën e tyre të përcaktojnë se çfarë borxhi do t’i duhet t’i paguajë drejtësisë për atë që bëri.

Dhe kjo është të qëllosh një të varfër që ka pasur fatin e keq të bjerë në të njëjtën rrugë si ai.

Ishte 28 shkurt, lufta kishte nisur katër ditë më parë.

Vadim komandonte Njësinë 32010, Divizioni i Katërt i Tankeve të Gardës Kantemirovskaya, rajoni i Moskës.

Ai dhe njerëzit e tij ishin në fshatin Chupakhiva, në Sumy Oblast, kur Njësia u sulmua.

Për të shpëtuar, ai dhe katër të tjerë vodhën një makinë dhe teksa po largoheshin nga fshati u përplasën me atë burrë: një burrë 62-vjeçar me biçikletë duke pedaluar drejt shtëpisë së tij, tani vetëm pak metra larg tij.

I moshuari po fliste në celular dhe ata menduan se ai po paralajmëronte disa ushtarë ukrainas për praninë e tyre.

Kështu u lajmërua Vadimi.

Dhe ai u betua se “më dhanë urdhër për të qëlluar dhe nuk mund të refuzoja. Unë qëllova nga dritarja me kallashnikovin tim”.

Disa të shtëna, dhe burri me biçikletë nuk kishte shpëtim.

Katër ditë më parë ishte prokurorja e përgjithshme, Iryna Venediktova, e cila shpalli aktakuzën duke publikuar, si gjithmonë, një përmbledhje të akuzave, identitetin dhe një fotografi të të akuzuarit.

Është gjykimi i parë i hapur për krimet e kryera gjatë kësaj lufte dhe prokurori ka bërë të ditur orët e fundit se tashmë janë identifikuar autorët e dyshuar të krimeve të luftës, ndërsa numri i rasteve që ende po punohet ka shkuar në 10 mijë e 700.

Ashtu si shumë ushtarë të tjerë të kapur nga ushtria ukrainase, Vadim Shishimarin u intervistua gjithashtu nga Volodymyr Zolkin, një bloger dhe gazetar i cili u lejua të fliste me të burgosurit e luftës dhe t’i filmonte ata në video.

Në intervistë e shohim të veshur me të njëjtin xhup gri dhe blu që kishte veshur dje.

“Unë shkova në luftë për të ndihmuar nënën time që nuk ka para”, thotë ai, duke përsëritur atë që u kishte thënë njerëzve të shërbimeve të sigurisë ukrainase që e kishin marrë në pyetje menjëherë pas kapjes së tij.

Marrë nga Corriere Della Sera, përshtatur për Albanian Post