Ish-zëvendëskryeministri i Serbisë dhe ish-kryetari i të ashtuquajturit Trupit Koordinues për Kosovën, Nebojsha Çoviç, ka dalur me një deklaratë duke thënë se ka informacione serioze të inteligjencës se “Prishtina zyrtare po përgatitet të pushtojë veriun e Kosovës më 25 gusht”.
Ai shtoi se “për këtë po krijohet një skenar në terren në formën e futjes së makinerive për thyerjen e bllokadave, buldozerëve specialë”.
Çoviç, i dënuar dikur edhe për korrupsion në Serbi, shtoi se informacionet e tij i thonë se për këtë është dislokuar edhe KFOR-i në Veri.
“E gjithë kjo”, siç tha ai, “është rënë dakord në takimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe në bazë të inteligjencës së besueshme që kam, ambasadorë të caktuar më pas e kanë inkurajuar Kurtin që të ndërmarrë atë që ka planifikuar”.
Konspiracioni i tij vazhdon se në këtë iniciativë janë më së shumti të përfshirë britanikët – aty janë edhe ato struktura të veçanta, qoftë MI5 apo MI6”.
Të njëjtit diskurs i ka shërbyer edhe Kryetari i Komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiç, i cili pohoi se ka informacione për veriun e Kosovës dhe se problemi thelbësor nuk është çështja e tabelave apo dokumenteve, por fakti që “ serbët të futen në pozitë më të vështirë dhe të largohen nga Kosova”.
“Problemi nuk është nëse dikush do ta pranojë atë që këmbëngul Kurti, por se ka nevojë që qeveria në Prishtinë t’i poshtërojë serbët në çdo mënyrë”.
Sipas tij, “grumbullimi i njësive speciale tregon se po përgatitet një konflikt, si dhe se informacioni se do të ngrihen barrikada vijnë nga ata që duan të përshpejtojnë konfliktin për të mos hapur mundësinë e një takimi të ri në Bruksel dhe një zgjidhje e mundshme”.
Siç tha ai, në Shtërpcë ka pasur disa situata kur “njësitet speciale kanë pushtuar komunën dhe kanë marrë të gjitha dokumentet”.
“Dëshirojnë të nisin një hetim kundër 99 serbëve që kanë punuar atje dhe e gjithë kjo rezulton me largimin e disa familjeve serbe nga Shtërpca. Nuk ka drejtësi në Kosovë dhe ato familje nuk duan të presin që forcat speciale t’u trokasin sërish në derë në mëngjes dhe t’i arrestojnë ata. Ky është realiteti ynë”, tha Jevtiç.
Në takimin e fundit në Bruksel të kryeministrit Kurti dhe të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, me shefin e NATO-s, Jens Stoltenberg, është kërkuar që pikërisht një gjuhë e tillë luftënxitëse të shmanget.
Por, në Serbi është vazhduar me diskursin e njëjtë, përkundër paralajmërimeve edhe nga Bashkimi Evropian që të stopohen fjalime të ngjashme që rrisin tensionet dhe i shërbejnë përkeqësimit të situatës.