Vladimir Putin mund të përballet me një grusht shteti, e vrasjen e tij mes zemërimit që ka përfshirë gjeneralët rusë për menaxhimin katastrofik të luftës në Ukrainë.
Autokrati i sëmurë, thotë The Sun, mund të hiqet qafe nga vetë shërbimet e tij të sigurisë ndërsa vdekja do të mbulohej me heshtje, duke u shitur si pasojë e një problemi shëndetësor, siç është një atak në zemër.
Ajo që pason, sipas ekspertit të sigurisë Dr Robert Thornton, mund të jetë zëvendësimi i tij me një lider edhe më të ashpër, i cili të dërgojë përsëri trupa në Kiev. Dr Thornton, profesor në King’s College të Londrës, i tha The Sun Online se gjeneralët ushtarakë rusë po humbasin durimin me udhëheqësin e tyre dhe duan që ai të largohet.
“Shërbimi sekret rus, FSB, mendon se Putini duhet të hiqet sepse ai është treguar i butë me Ukrainën”, thotë eksperti, që kujton sesi presidenti rus vendosi të tërhiqej nga Kievi dhe tani po përqendrohet vetëm në Donbas. Dr Thornton mendon se njësia e inteligjencës ushtarake ruse, GRU, mund të ishte më e përshtatshmja për të larguar Putinin dhe mund të lëvizë shpejt, nëse trupat e Moskës humbasin terren dhe në Ukrainën lindore. “Ata i kanë mundësitë për ta bërë një gjë të tillë”, thekson ai.
“Nëse dikush realizon një grusht shteti në pallat, padyshim do të kërkojë që ta bëjë atë në fshehtësinë më të madhe”. Dr Thornton thotë se një grup i vogël oficerësh të lartë të sigurisë mund t’i afrohet Putinit me një ultimatum për të lënë detyrën ose të vritet.
“Ata do të thonë në televizion se Putini nuk ka qenë mirë me shëndet. I gjori pati një atak në zemër, nga gjithë sforcimi i operacionit të tij special ushtarak dhe tani vendi do të ketë një lider të ri”, është komenti i profesorit që kujton se diçka e ngjashme ndodhi me ish-udhëheqësin sovjetik Leonid Brezhnjev, dhe figura të tjera komuniste në vitet 1970.