Arjan Tase, drejtuesi i motoskafit “Nëna 154”, i cili përplasi për vdekje 7-vjeçaren J.A. në plazhin e Potamit në Himarë, mund të dënohet me 5 vite burg. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore e arrestoi shefin e Seksionit të Policimit në Komunitet të Elbasanit me akuzën e “Vrasjes së kryer nga pakujdesia”.
Nëse vdekja e vajzës së mitur do të klasifikohet si vepër e tillë penale e sipërpërmendur, atëherë Arjan Tase mund të gjobitet ose të dënohet me 5 vite burg. Kjo është përcaktuar në nenin 85 të Kodit Penal. “Vrasja e kryer nga pakujdesia dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet”, citohet neni 85 i Kodit Penal. Në vazhdim të njoftimit të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Tase i është afruar bregut të detit në 15 m distancë dhe më pas në tentativë për t’u larguar, ka kryer manovra të pakujdesshme me motoskafin e tij duke goditur për vdekje vajzën e mitur.
Bashkë me ish-shefin e komisariatit të Himarës janë marrë nën hetim dhe 5 drejtues të lartë të policisë në Vlorë, Himarë dhe dhe Dhërmiut. Shpëtim Hasanaliaj, kryekomisar në Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit në Vlorë; Fatos Muka, shef i Sektorit të Kufirit në DVKM Vlorë; Neritan Buzi, shef stacioni i Policisë Kufitare në Dhërmi; V.LL., shef i Komisariatit të Policisë në Himarë dhe A.D., shef i Seksionit të Rendit në Komisariatin e Policisë së Himarës.
Tase e regjistroi mjetin në emër të Adhurim Kushit, bashkëpronar për skafe me qira
Lidhur me motoskafin që drejtonte Arjan Tase, “Nëna 154” i pajisur me 2 motorrë me nga 300 kuaj fuqi, rezulton se skafi ishte regjistruar në pronësi të shtetasit Adhurim Kushi, por në të vërtetë pronari ishte punonjësi i policisë për shkak se ai nuk mund të regjistronte skafin në emër të tij pasi s’mund të justifikonte çmimin me pagën e tij. Megjithatë, sipas mediave, ai është bashkëpronar i një agjencie të dhënies me qira të skafeve. Nga ana tjetër, shtetasi Kushi rezulton në Qendrën Kombëtare të Biznesit si pronar i dy bizneseve: 1 lavazh dhe 1 biznesi shit-blerjeje të makinave të përdorura. Nga ana tjetër, AMP konstaton se Tase ka qenë i pajisur me dokumentacion të rregullt ligjor, por nuk saktësohet për çështjen e lundrimit apo pronësisë së motoskafit. Një tjetër detaj i publikuar nga mediat, është se Arjan Tase mbante me vete pistoletën e shërbimit.
Dëshmia e Tases: Ia mora motoskafin kushëririt, kam leje drejtimi. Ja ç’thotë Berisha
Pasi u arrestua nga policia, ish-zyrtari i policisë Arjan Tase tregoi se kishte ardhur me makinë në Porto Palermo dhe motoskafin ia mori një kushëriri të tij. Ai shtoi se zotëronte leje drejtimi për mjetet lundruese. Për sa i përket ngjarjes së rëndë, ish-shefi i Komisariatit të Himarës dëshmoi se vdekja e 7-vjeçares J.A., motoskafi ka marrë shumë gaz duke kryer rrotullim të menjëhershëm në vend. Nga ana tjetër, ish-kryeministri Sali Berisha këmbëngul se Arjan Tase nuk ka pasur leje drejtimit të motoskafit. Në rrjetet sociale, Berisha publikoi mesazhin e një oficeri policie në “Qytetari dixhital”. “Përshëndetje, doktor. Jam oficer policie. Desha të të informoj se komisari Arjan Tase, autori i dramës në Potam, ka qenë pa leje drejtimi pajisje motorike”, shkruhet në profilin e ish-kryeministrit Berisha në Facebook.
Shkelja e Tases, duhej të ishte 150-200 m larg bregut, ishte vetëm 15 m larg
Po ti referohemi, Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 321 të datës 28 maj 2014, saktësohet në shtojcën për “Kushtet e Sigurisë për përdorimin e Varkave me Motor dhe Mjeteve Lundruese me Motor (përfshirë dhe motorët e ujit) për përdorim personal në plazhe thuhet se: 1) Distanca më e afërt e lundrimit dhe e kryerjes së aktivitetit për mjetete sipërpërmendura të jetë 150 deri në 200 m (në varësi të thellësisë); 2) Distanca maksimale e lundrimit nga bregu më i afërt për këto mjete lundruese të jetë jo më shumë se 2 milje (3.2 km) për barkat dhe 1 milje (1.6 km) për motorrët e detit. Nëse shkojmë dhe te njoftimi i AMP për ngjarjen e rëndë, saktësohet se Tase e ka ndaluar motoskafin e tij 15 metra larg bregut, pra ai është futur në mes të pushuesve. Në këtë rast, vetë ish-polici nuk mund të gjykohet për veprën penale “vrasje e kryer nga pakujdesia” por duke neglizhuar totalisht dhe VKM e qeverisë për lundrimin dhe sigurinë në plazhe. Një tjetër fakt i çuditshëm është, se AMP shprehet se hapësira ujore ka qenë e mbuluar me bova plastike, pasi dhe kjo mbetet për t’u konfirmuar nga hetimet.