“Vendim i qeverisë”, “Me çka me pagu?”, qytetarët pas shtrenjtimit të rrymës

Tri herë është protestuar në Prishtinë kundër vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtim të rrymës për 16.1 përqind.

Ali Sefaj, një nga organizatorët e këtyre protestave ka thënë për MAT se synimi është të mos rëndohet barra për konsumatorët.

“Besoj që protestat kanë qenë të mëdha, nëse sheh arsyen për çfarë janë organizuar. E në Kosovë nuk ka pasë protesta të këtyre përmasave me karakter social. Kemi parë protesta me motive politike apo me motive patriotike për arsye se për ne patriotizëm më të madh sesa ta ruash shportën dhe mirëqenien nuk ka”.

Disa prej protestuesve në ditën e vendimmarrjes nga ZRrE, kanë thënë se prapa shtrenjtimit rri qeveria.

“Kam dalë me protestu kundër vendimit të ZRrE-së, rrjedhimit të qeverisë sepse konsideroj se ky vendin nuk është vetëm i ZRrE-së, por ndikim dirket i qeverisë”, është shprehur Arton Muhaxheri.

“Jetës tonë çdo ditë po i hapet një faqe e re me obligime që dikujt po i teken ma i ba për neve pa na pyete hiç. Është e pamundur në kushtet e shtrenjtimet që janë në këtë situatë për me mund edhe këtë me pjesë me ia dalë”, vijon protestuesi tjetër, Burim Jakupi.

Ndërkaq Nazmi Gërbeshi, pensionist, thotë se me vendimin për shtrenjtim jeta e tij bëhet edhe më e vështirë.

“Qysh nuk na varfëron, S’mundemi me pagu hiç se me pension s’ke qysh e paguan. Me çka me pagu?”, pyet ai i brengosur.