Vendos Qeveria – ky është orari i ri për lëvizjen e qytetarëve

Qeveria në detyrë ka marrë parasysh kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë që të ndryshoj orari për kufizim të lëvizjes, me qëllim parandalimin e virusit Corona, shkruan Insajderi.

Me vendimin e ri qarkullimi i qytetarëve dhe automjeteve ndalohet prej orës 17:00 – 06:00.

“Qeveria e Republikës së Kosova aprovon kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për ndërmarrjen e masave për parandalimin dhe kontrollimin e përhapjes së Corona virusit COVID-19 ku plotësohet ndryshohet pika e Vendimit të Qeverisë nr.01/15 e datës 23 mars 2020 si në vijim.

Ndalohet qarkullimi i qytetarëve dhe automjeteve private gjatë orës 17:00 – 06:00 përveç nevojave mjekësorë, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale (ushqim dhe barna për njerëz deh kafshë/shpezë), dhe për shërbime dhe aktivitete që ndërlidhen me menaxhimin e pandemisë…”, thuhet në vendimin e Qeverisë.

Në pikën dy tregohet se ndalohet qarkullimi i qytetarëve në zona (sheshet) e hapura të qyteteve të Republikës, përveç barnatoreve të këtyre zonave.

Në datën 23 mars Qeveria kishte vendosur që lëvizja të kufizohet nga ora 10:00 deri në 16:00 dhe nga 20:00 deri në 6:00. Por, ky orar nuk ka qenë më duhuri, dhe kryetarë të komunave të ndryshme raportonin se pas orës 16:00 po krijohen tollovi e dyndeshin marketet nga qytetarët.