Ndërkohë që Ministrja e Bujqësisë Frida Krifca publikon në FB lajmin se është takuar me Frank Bollen, kreun e Zhvillimit Rural në KE për performancën e bujqësisë shqiptare dhe se ka marrë miratimin në Bruksel për Programin IPARD III për të shtuar mundësitë e financimit në zonat rurale, fjalët e thjeshta e të qarta të një zonje të moshuar nga fshati Kamenicë i Mallakastrës përshkruajnë realitetin e trishtë të fshatit shqiptar, braktisjen dhe mungesën totale të interesit për mbjelljen e tokës.
Gjatë një bashkëbisedimi të shkurtër me gazetarin e SYRI TV, zonja mallakastriote në video përmblodhi atë dramë që përjetojnë sot bujqit e blegtorët nga jugu në veri, ku programeve IPARD të Ministrisë së Bujqësisë nuk ua ka dëgjuar kush emrin.
“Tani quhet Kasnica-mal, Kasnica-fushë, janë ndarë në dy pjesë, – tregon ajo për fshatin e saj. – A lodhem?! Lodhem me punët sa… Kam bërë dhjetë kalamaj, të keqen nëna, u këputëm, po ku i ke thuaj?!”
E ndërsa i shoqi pranë saj e kap për krahu që ta kujtojë të bëjë kujdes e të mos flasë ashtu, e moshuara reagon me të njëjtën buzëqeshje që mbart dhimbjen dhe keqardhjen për atë shkreti të shtëpisë, të fshatit, të tokës, shkreti që sa vjen e zgjerohet.