VIDEO/ Kapen në Brazil 617 kg kokainë e pastër me vulën e ‘K. F. Elbasanit’

Sekuestrohet në Brazil një sasi rekord kokaine, 617 kg e pastër, ndërsa destinacion dyshohet se ishte pikërisht Shqipëria, pasi në pakot e drogës që ishin futur në një kabinë të dyfishtë të një kamioni ishte shkruar “K.F. Elbasani”, stema e ekipit të futbollit të këtij qyteti. Vlera e kokainës në tregu europian me pakice arrin në 60 milionë dollarë.

Operacioni është zhvilluar në Gefron të Brazilit, ku policia arrestoi edhe katër persona. Mes të arrestuarve është edhe një grua. Dy nga të arrestuarit, po shoqëronin kamionin me kokainë. Shqiptarja.com sjell pamjet e operacionit ku u sekuestrua kokaina dhe vendi ku ishte fshehur në kamion.

Shoferi ka treguar se do të merrte 10 mijë dollarë për transportin e drogës. Autoritetet braziliane vijojnë hetimet për të zbuluar rrjetin dhe kush ishin porositësit e kokainës. Operacioni ku u sekuestrua kokaina është realizuar në datë 2 shtator, ndërsa 15 ditë më vonë në Greqi u zbulua ngarkesa tjetër nga Amerika e Jugut me destinacion Elbasanin, 137 kg (lexo këtu).

Por kush e drejton ekipin e futbollit të Elbasanit? Aktualisht aksionet e ekipit të futbollit i ka Arben Laze dhe bashkia e Elbasanit. Fillimisht kanë qenë tre aksionerë, Arben Laze, bashkia dhe Gentian Çërraga. Në momentin që bashkia i bleu aksionet Gentian Çërragës, mbetën vetëm dy. Pak vite më parë ekipi i futbollit ishte pranë shitjes te një biznesmen anglez, por që dështoi në fund, pasi ndërroi jetë.

Kjo ka bërë që ekipi, që militon në kategorinë e dytë të futbollit shqiptar të jetë akoma në pronësinë e Arben Lazes dhe bashkisë së Elbasanit. Laze është një emër i njohur në Elbasan, por jo vetëm për sportin, pasi disa vite më parë u arrestua së bashku me vëllanë për trafik droge, por më pas mori pafajësinë, ndërsa vëllai Fatjon Laze vuajti dënimin. Gjithsesi e kaluara nuk do të thotë se Arben Laze ka lidhje me sasinë e drogës që u sekuestrua në datë 2 shtator në Brazil.