VIDEO: Shpërndahet një video ku dëgjohen të shtëna, Policia e Kosovës po e trajton rastin

Një video ku shihen disa persona të maskuar duke shtënë me armë zjarri në ajër, po raportohet të ketë ndodhur në veri të vendit gjatë kësaj mbrëmjeje.

Në lidhje me këtë, burime të Klankosova.tv brenda Njësisë Speciale kanë thënë se ata janë gjithnjë në gatishmërinë më të lartë.

“E kemi parë videon. Me aq sa di po trajtohet nga organet kompetente, por ne gjithmonë jemi në nivelin më të lartë të gatishmërisë”, ka thënë ky burim, njofton Klankosova.tv.

Portali ka kontaktuar edhe me zëdhënësin e Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Besim Hoti, në lidhje me videon.

Ai u përgjigj shkurt duke thënë se “s’kam info”.

Ndërkaq, Klankosova.tv ka dërguar pyetje edhe tek zëdhënësi tjetër i policisë për Mitrovicën e Veriut, Branislav Radoviq, por që s’ka marrë përgjigje.

Në videon që po qarkullon në mediat sociale, disa persona të maskuar shihen para një automjeti me targa KM, të cilën janë të armatosur me armë automatike.

Ata dëgjohen duke thënë: “Ne u kthyem”, “Kosova është Serbi” e “Krimeja është Rusi”.