VIDEO/ Si e inskenon Rama pastrimin e plehrave në Vlorë, për të demaskuar Dritan Lelin

Edi Rama i ka shpallur luftë Dritan Lelit. Ky nuk është më lajm tashmë pasi përgjatë këtyre muajve kemi parë shumë akte që e dëshmojnë këtë qëndrim të kryeministrit kundër kryebashkiakut të Vlorës. Por sot Rama shkon edhe më tej me shfaqjen e tij para kamerës së ERTV.

Si për të demaskuar Dritan Lelin dhe administratën e tij që medemek nuk kujdeset për Vlorën, kryeministri ka gjetur një fushë minifutbolli për të pastruar vetë plehrat aty brenda. Kush e njeh industrinë e marketingut politik dhe marrëdhënieve me publikun, s’e ka të vështirë ta kuptojë se kjo është një nga ato ngjarjet e inskenuara.

Nuk bëjmë gabim dhe as e shfrenojmë fantazinë nëse themi se dikush nga stafi i Ramës i ka hedhur më parë ato pak plehra brenda fushës së minifutbollit, në mënyrë që më pas të shkojë kryeministri si “shpëtimtari” i madh, si një përulës i madh ndaj qytetit për t’i pastruar. Gjithcka bëhet për të demaskuar Dritan Lelin, si një delenxhi dhe dembel që nuk i duhet më Vlorës.

Nuk i duhet tani, pasi deri para 25 prillit ai ishte i devotshëm për të qenë në listën fituese të kandidatëve për deputetë të PS-së. Pasi refuzoi ofertën e Ramës për të lënë bashkinë dhe për t’u bërë deputet, Dritan Leli është shpallur armik i PS-së. U përjashtua nga fushata elektorale dhe socialistët bashkë me Ramën nuk lenë vend pa e telendisur e pa i bërë gjyq publik. Në një regjim me lider autoritar dhe ku demokracia në parti është asfiksuar totalisht, fundi i Dritan Lelit në krye të bashkisë nuk është i vështirë të merret me mend. /LAPSI.al