Në Podujevë ka ndodhur një vjedhje e rëndë. 148 pasaporta e 3 mijë e 900 euro janë grabitur në Qendrën e Pajisjeve me Dokumente dhe Regjistrim të Automjeteve.
Institucioni që funksionon nën kompetenca tëe Ministrisë së Brendshme është vjedhur të shtunën e kaluar më 21 tetor. Lidhur me rastin një person ndodhet në paraburgim prej 30- ditësh.
Objekti i Qendrës për Pajisje me Dokumente dhe Qendra për Regjistrim të Automjeteve në Podujevë, janë thyer e vjedhur të shtunën e javës që kaloi. Nga aty janë vjedhur 148 pasaporta, ndërsa në piken e shitjes së Postelekomit të Kosovës, të vendosur brenda objektit, janë vjedhur edhe 3900 euro si dhe mbushje telefonike.
Policia e Kosovës në Podujeve deklaroi për RTK-në se në lidhje me rastin një person është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit të dyshuarit i është shqiptuar masa paraburgim prej 30 ditësh.
Ministria e Brendshme në përgjigje të shkruar, e konfirmoi vjedhjen e së shtunës. Ministria deklaroi se është marrë kasaforta me 148 pasaporta, raporton televizioni publik. Por, zyrtarë të kësaj ministrie deklaruan se janë marrë të gjitha masat parandaluese në rast se tentohet që pasaportat të keqpërdorën, duke u njoftuar të gjitha organet e nevojshme.
Ndërkohë, aplikuesit do të pajisen me pasaportat e tyre pa pagesë shtesë. Sigurimi i këtij objekti bëhej nga një kompani private e kontraktuar dhe nga aty është suspenduar roja i ndërrimit.