Jeton Krivanjeva, një nga shqiptarët që mbeti i vrarë nga atentati me dy viktima në Shkup ishte i njohur edhe për aktet e bamirësisë.
Krivanjeva ishte promovuar përmes disa videove nga Halil Kastrati, kreu i shoqatës “Jetimët e Ballkanit”, i cili kishte vënë në dukje misionet humanitare të viktimë së atentatit të djeshëm.
Sipas Kastratit, ai kishte dhuruar 4 banesa për fëmijët në nevojë në RMV, kishte dhënë 15 mijë euro për të prekurit nga tërmeti në Shqipëri si dhe kishte ndihmuar në shërimin e fëmijëve të sëmurë.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së hënës në Çarshinë e Shkupit. Shqiptarët Jeton Krivanjeva dhe Enes Iseni mbetën të vrarë nga atentati brenda një lokali, ndërsa një person i tretë po lufton për jetë.
Policia dhe prokuroria kanë nisur hetimin duke mbledhur provat e nevojshme nga vendngjarja.