Përballje e ashpër është zhvilluar mes presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiç në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Siç ndodh zakonisht, Vuçiç e nisi fjalimin me propagandë kinse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po i shkakton “regjim” komunitetit serb në Kosovë.
“Komuniteti serb s’është në gjendje t’i pranojë pagat, mëditjet e pensionet… shtypja ndaj serbëve është përforcuar nga sesioni i fundit. 16 sulme të fundit, disa me armë në Graçanicë”, tha Vuçiç.
“Të punësuarit (serbë) në institucione po përballen me regjimin e Albin Kurtit, diskriminim i shkallës së lartë. E kjo për arsyet se s’janë shqiptarë e s’janë të përfshirë në një agjendë për Shqipërinë e madhe”, ka shtuar ai.
Vuçiç pretendoi se ndaj serbëve të Kosovës vazhdojnë “sulmet sistematike” nga autoritetet kosovare, por pa ofruar asnjë provë.
Ai theksoi se veprimet e fundit të autoriteteve në Kosovën krijuan “kushte të padurueshme” për komunitetin serb që përbën shumicën e popullsisë në pjesën veriore të territorit kosovar, derisa përmendi ndalimin e përdorimit të dinarit serb.
Përgjatë adresimit para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ai përmendi edhe “premtimet e pa mbajtura” rreth themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, por edhe sulmin terrorist të paramilitarëve serbë në Banjë të Zveçanit në Veri të Kosovës, duke kërkuar që kjo ngjarje të mos bëhet pretekst për “persekutimin” e serbëve.
Gjatë adresimit të tij, pretendoi se rritja e numrit të votuesve shqiptarë u ngrit në mënyrë artificiale para procesit të votimit për shkarkimin e kryetarëve në komunat veriore, prandaj, sipas tij, duhet të kuptohet bojkotimi i votimit të 21 prillit nga Lista Serbe.
Por, kreut të shtetit serb, iu kundërpërgjigj presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila theksoi se akuzat e Vuçiç-it për “dëbimin e serbëve” nga Kosova janë të pavërteta.
“Akuzat e Serbisë për persekutim të serbëve janë të rrejshme dhe të pa baza. Serbëve të Kosovës iu mbrohen të drejtat e tyre. Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës sigurojnë që gjuha serbe njihet dhe përdoret si gjuhë zyrtare në gjithë Kosovën. Nuk ka pasur asnjë sulm me ndonjë motiv etnik”, potencoi Osmani.
“A ndihet keq për të kaluarën dhe gjenocidin që ka shkaktuar parlamenti i tij?”, ka pyetur Osmani.
“Viktimat e atij regjimi Vuçiç janë këtu, merr pak kohë kërko falje. Tregoju të gjithë nëse ke një shenjë të humanitetit që ka mbetur në ty”.
Ajo ka shtuar se shteti serb është përgjegjës për sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, por autorët e sulmit janë të lirë në Beograd.
Osmani, e shoqëruar nga e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, Vasfije Krasniqi-Goodman, ka thënë se kjo e fundit ka qenë vetëm 16 vjeçare kur ishte dhunuar nga forcat paramilitare serbe.
“Sot jam bashkë me Vasifije Krasniqin-Goodman. Ajo ka qenë vetëm 16 vjeçare kur është dhunuar, jo një herë, por dy herë nga forcat policore të Millosheviçit. Ushtria serbe ka zgjedhur një prej mjeteve më të këqija të luftës, që është dhuna. Më shumë do të heqësh nëse vazhdon të jetosh i kanë thënë asaj, pasi i ka lutur që ta vrasin”, tha Osmani.
“Vasfija nuk ka ngecur, por ka vazhduar me jetën e saj për të ngritur vetëdijesimin për faza globale për dhunimet seksuale në lufta”.
Osmani ka kërkuar nga shteti serb që ata që kanë kryer krime gjatë luftës së fundit në Kosovës të arrestohen, duke theksuar që “t’i mbajmë llogaridhënës ata kryerës të veprave”.