Vitali Klitschko, mesazh Perëndimit: Jemi të rrethuar, por së bashku mund të jemi më të fortë

Ndërsa trupat ruse i afrohen gjithnjë e më shumë kryeqytetit të Ukrainës, kryebashkiaku i Kievit, është i mbushur me krenari për shpirtin që po tregojnë qytetarët, ndërsa nuk e fsheh shqetësimin për edhe sa kohë ata mund të rezistojnë.

https://youtu.be/AVBmeQMpcic

Në një intervistë të dhënë këtë të diel për Associated Press, pas një nate rraskapitëse të sulmeve ruse në periferi të qytetit, ish-boksieri Vitali Klitschko, heshti për pak sekonda kur u pyet nëse kishte plane për të evakuuar civilët nëse trupat ruse arrinin të merrnin Kievin.

“Ne nuk mund ta bëjmë këtë, sepse të gjitha rrugët janë të bllokuara. Për momentin jemi të rrethuar”, tha i ai.

Kryetari i bashkisë konfirmoi se 9 civilë janë vrarë deri tani në Kiev, mes të cilëve edhe një fëmijë. Klitschko e vendosi Kievin në shtetrrethim në orën 17:00 të së shtunës dhe do të qëndrojë në këtë gjendje të paktën deri në orën 08:00 të së hënës. Urdhri i tij i ka paralajmëruar të gjithë se çdo person i paautorizuar që shihet në rrugë do të konsiderohet si diversant.

“Ne po luftojmë me këta njerëz dhe do të jetë shumë më e lehtë nëse askush nga banorët e Kievit nuk del në rrugë”, tha ai, duke shtuar se 6 diversantë rusë u vranë gjatë mbrëmjes së të shtunës.

“Jemi në kufijtë e një katastrofe humanitare. Tani për tani kemi energji elektrike, kemi ujë dhe ngrohje në shtëpitë tona, por infrastruktura është e shkatërruar për të ofruar ushqim dhe mjekim”.

Në fund, ai foli si kampion bote: “Mesazhi për të gjithë është: Mbështeteni Ukrainën. Ne jemi më të fortë së bashki. Çdo ukrainas është krenar që është i pavarur. Ne jemi krenar që kemi vendin tonë”, tha Vitali Klitschko.