Viti 1916: Shqiptarët e krahinës së Shkupit edhe pse ata nuk e dinë turqishten, e konsiderojnë veten turq dhe refuzojnë të jenë shqiptarë!

Nga: Skënder Latifi

“Shqiptarët e krahinës së Shkupit janë myslimanë, por edhe pse ata nuk e dinë turqishten, megjithatë, e konsiderojnë veten turq dhe refuzojnë të jenë shqiptarë! Kështu që popullsia vendase bullgare i quan ata turq. Mirëpo, i gjithë ky pështjellim lidhur me përkatësinë kombëtare të këtyre shqiptarëve ka ndikuar që statistikat zyrtare dhe jozyrtare të jenë përplot me gabime!”, kishte shkruar gjeografi dhe etnografi bullgar Anastas Ishirkov në shënimet e tij për gjendjen që ai e ka parë në tokat shqiptare në verën e vitit 1916. stacioni i radhës rrugës për në Prishtinë për të ka qenë Kaçaniku. Ka ofruar të dhëna edhe për Kaçanikun, për Prishtinën e Janjevën, të cilat ai i ka vizituar në javën e fundit të korrikut të atij viti. “Në Janjevë ndodhet selia e kryepeshkopit katolik të Prizrenit, ndërsa popullsia janjevase kryesisht ka punuar në miniera”, ka shkruar ai

Gjendja e numrit të popullsisë në Qarkun e Prizrenit në vitet 1913 – 1916

Në pjesën përmbyllëse të vizitës së tij në Qarkun e Prizrenit në ekspeditën e vitit 1916, Kryeshefi i Direksionit Shtetëror të Statistikave të Bullgarisë, Stefan Mlladenov, është marrë me të dhëna konkrete. “Sipas regjistrimit serb të vitit 1913, në kufijtë e tij të vjetër Qarku i Prizrenit i kishte 124 101 banorë. Në atë kohë, numri i banorëve në rrethe ishte si në vijim: Rrethi i Gorës (Vranishtit) i kishte 28 117 banorë, i Suharekës 17 471 banorë, i Rahovecit 34 551 banorë, i Prizrenit 22 718 banorë, ndërsa vetë qendra e qarkut, pra qyteti i Prizrenit i kishte 21 244 banorë. Sipas përllogaritjeve të përafërta të autoriteteve tona administrative, rreth mesit të vitit aktual (1916), popullsia e qarkut në përbërjen e re arrin në 87 656 banorë. Regjistrimi serb i vitit 1913 gjeti një popullsi prej 93 169 banorësh në këtë territor. Por, në vitet e fundit si gjetiu në vend të rritjes së numrit të popullsisë, përkundrazi vërehet rënie e ndjeshme. Zvogëlimi i numrit të banorëve në Qarkun e Prizrenit, ka ardhur për të njëjtat arsye që i kam vërejtur edhe në qarqet e tjera. Emigrim të popullsisë ka pasur edhe gjatë Luftës së Parë Ballkanike. Por është karakteristike të theksohet se atëherë prej këtu emigruan vetëm turqit, kryesisht familjet e ish-zyrtarëve dhe oficerëve, ndërsa emigrim nuk pati midis popullatës shqiptare. Por, shqiptarët pësuan shumë gjatë regjimit serb, kur shumë prej tyre u masakruan nga serbët, ndërsa gjatë arratisjes së ushtrisë dhe popullsisë serbe (drejt Shqipërisë – S. L.), shqiptarët megjithatë, e nxorën hakun… Siç e kemi cekur më herët, në pikëpamje të organizmit administrativ, rrethi më i madh për nga numri i popullsisë në Qarkun e Prizrenit është ai i Rahovecit që numëron rreth 35 000 banorë. Nga fshatrat e kësaj ane, popullsia mashkullore pothuajse ishte dëbuar edhe para Luftës së Parë Ballkanike në vatrat e tyre mezi që mbetën një e treta e burrave. Në të tri rrethet rurale, me pak përjashtime popullsia është tërësisht shqiptare. Kështu në tërë Qarkun e Prizrenit, shqiptarët përbëjnë gati 3/4 e popullsisë dhe numri i tyre arrin në rreth 65 000 banorë. Një pjesë e vogël e tyre janë katolikë – gjithsej rreth 1600 banorë, ndërsa pjesa tjetër janë myslimanë. Mirëpo, nuk duhet harruar se disa fshatra shqiptare në Qarkun e Prizrenit, si ata të Grabnikut, Dobridolit, pastaj disa fshatra edhe më të vogla nga komuna e Bratotinës, mandej të Rrethit të Rahovecit, deri në kohën e Hyrjetit i përkisnin besimit katolik, por më pas gjoja vetë banorët e këtyre fshatrave kërkuan dhe u ndihmuan nga qeveria që të islamizoheshin, pasi si shpërblim i fituan disa të drejta nga qeveria turke, si për shembull të drejtën e qarkullimit të lirë e të tjerë kështu që jeta e tyre shtëpiake sot është thjesht e stilit turk. Pjesa tjetër e popullsisë së Qarkut të Prizrenit përbëhet prej serbëve dhe një pjesë të vogël të turqve, ciganëve dhe cincarëve. Serbët, me gjithsej 16 000 – 17 000 banorë, kryesisht e popullojnë qytetin e Prizrenit dhe fshatrat e zonës. Më pak serbë ka në rrethin e Rahovecit dhe ata arritën këtu pas Luftës së Parë Ballkanike, kryesisht si kolonë nga “Serbia e Vjetër”, kurse në Rrethin e Suharekës numri i serbëve është fare simbolik dhe ata janë të shpërndarë në disa fshatra midis popullsisë shqiptare. Një pjesë e madhe e serbëve janë banorë të vjetër vendas, të cilët ndryshojnë për nga gjuha, sjelljet dhe zakonet nga serbët e ardhur nga mbretëria e Serbisë dhe ata janë më të afërt me popullsinë bullgare – maqedonase. Në pjesën lindore të rrethit rural të Prizrenit, rrëzë Sharrit, gjenden disa fshatra (Mushnikovë, Gorno Sellë, Drajçinë, Lubidzhdë, Sevcë, Yanishtë, Sredskë) të banuara me serbë, të cilët për nga veshja dhe gjuha, ngjajnë me fshatarët e fshatit Vit të krahinës sonë të Plevenit. Serbët nga fshatrat e Suharekës dhe sidomos të rrethit të Rahovecit mbajnë kostume shqiptare, flasin shqip dhe në përgjithësi nga frika prej shqiptarëve ata e fshehin përkatësinë e tyre kombëtare!

Në Qarkun e Prizrenit ka rreth 3 300 banorë turq dhe pothuajse të gjithë janë të përqendruar në qytetin e Prizrenit. Gjithashtu në këtë qytet por edhe në rrethina jetojnë edhe disa cincarë”, e ka përmbyllur hulumtimin e tij kryeshefi i Direksionit Shtetëror të Statistikave, Stefan Mlladenov.

“Shqiptarët e krahinës së Shkupit nuk dinë turqisht por thonë se janë turq dhe për këtë statistikat zyrtare nuk janë valide!”

Studiuesi i radhës që ishte përfshirë në hulumtimin e viseve shqiptare, ishte gjeografi dhe etnografi Anastas Ishirkov (Анастас Иширков 1868 – 1937) i shkolluar në Gjermaninë e atëhershme. Edhe pse Ishirkov i ka vizituar ndoshta të njëjtat qendra, pra ato që i ka hulumtuar edhe Stefan Mmlaednov, megjithatë ne i kemi veçuar disa të dhëna për të cilat mendojmë se e pasqyrojnë gjendjen që ai e ka parë në tokat shqiptare në verën e vitit 1916 dhe shënimet e tij do të jenë në interes të lexuesit shqiptar.

“Në Shkup qëndruam nga 11 deri më 15 korrik (1916), por unë e njoh këtë qytet që prej viteve 1909, 1910 dhe 1911. Popullsia e zonës ndërmjet Vardarit dhe Lepencit është shqiptare dhe bullgare, por shumica e tyre janë dygjuhëshe: shqiptarët dhe bullgarët flasin njëlloj mirë shqip dhe bullgarisht. Këtë e kam vërejtur veçanërisht mirë në Sivllarë të Epërm, ku në mesin e shqiptarëve ka vetëm 6 shtëpi bullgare… Para luftës së fundit, bullgarët në këtë zonë ishin serbë! Ndërsa ekzarkistë (që i përkisnin kishës bullgare S. L.) kishte vetëm në fshatin e Bardarcit (nuk është e qartë a është fjala për Bardocin – S. L.). Shqiptarët e krahinës së Shkupit janë myslimanë, por edhe pse ata nuk e dinë turqishten, megjithatë e konsiderojnë veten turq dhe refuzojnë të jenë shqiptarë! Kështu që popullsia vendase bullgare i quan ata turq. Mirëpo, i gjithë ky pështjellim lidhur me përkatësinë kombëtare të këtyre shqiptarëve ka ndikuar që statistikat zyrtare dhe jozyrtare të jenë përplot me gabime!” – ka shkruar Ishirkov, ndërsa stacioni i radhës rrugës për në Prishtinë për të ka qenë Kaçaniku.

“Fshati i Janjevës tani duket si një qytet i vogël me 400 shtëpi katolike dhe 30 shtëpi myslimane. Popullsia është e angazhuar në prodhimin e stolive prej ari, argjendit dhe bronzit dhe këto prodhime shiten kryesisht në Bullgari”, shkruante Anastas Ishirkov për Janjevën ku u ndal në korrikun e vitit 1916

Prej Kaçanikut deri në Prishtinë

“Kaçaniku është një qytet i vogël me gjithsej 180 shtëpi shqiptare, ndërsa numri i banorëve arrin në 1200. Gjatë okupimit serb, shumë kaçanikas u shpërngulën prej vatrave të tyre. Vetë qyteti gjendet në një pozitë të rëndësishme duke u shtrirë në fillim të Grykës së Kaçanikut dhe ka rëndësi të madhe ushtarake. Ndërsa qyteti i radhës Ferizaj, i ka rreth 4000 banorë që kryesisht janë shqiptarë, por këtu ka edhe kolonë serbë, më pastaj ka pak bullgarë dhe vllahë. Bullgarët dhe vllahët në Ferizaj kryesisht merren me tregti”.

Duhet theksuar se shënimet e prof. Ishirkovit janë të karakterit të përshkrimeve gjeografike, por herë pas here në to ofrohen edhe të dhëna statistikore e etnografike. Në vijim ai ka ofruar të dhëna për Prishtinën dhe Janjevën, të cilat ai i ka vizituar në javën e fundit të korrikut të vitit 1916.

“Qyteti i Prishtinës ka lidhje me Mitrovicën, Nishin, Gjilanin, Shkupin, Prizrenin, por pavarësisht vendndodhjes qendrore, në këtë qytet mungon zhvillimi i një tregtie të gjallë. Në Prishtinë jetojnë pronarë të pasur të çifligjeve, që i kanë pronat e tyre të mëdha në Kosovë dhe Maqedoni. Më pastaj në rrethinat e Prishtinës ne i vizituam vendburimet e qymyrit, që shtrihen në perëndim në afërsi të fshatit Siboc. Në lindje, vizituam fshatin Janjevë që ka luajtur rol të madh në shekujt e kaluar nën sundimin turk. Në Janjevë ndodhet selia e kryepeshkopit katolik të Prizrenit, ndërsa popullsia janjevase kryesisht ka punuar në miniera. Fshati i Janjevës tani duket si një qytet i vogël me 400 shtëpi katolike dhe 30 shtëpi myslimane. Popullsia është e angazhuar në prodhimin e stolive prej ari, argjendit dhe bronzit dhe këto prodhime shiten kryesisht në Bullgari, prandaj shumica e banorëve të Janjevës e flasin ‘në një dialekt të thjesht bullgar’. Katolikët e Janjëves e konsiderojnë veten shqiptarë, martohen kryesisht me gra katolike shqiptare nga Shkodra dhe rrethina, ndërsa ka janjevas që thonë se kanë origjinë kroate…. Më 23 korrik, kaluam përmes Lipjanit, një vendbanim i rëndësishëm mesjetar, që dikur kishte qenë qytet kufitar i Bullgarisë në mbretërinë e parë bullgare”, shkruan Ishirkov

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për Kulturë. Për Prizrenin që është më i madh sesa Prishtina, për ortodokset shqiptare nga Reka në pazarin e Gostivarit e për Xhaminë e Dibrës të kthyer në kishë