Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia përmes një postimi të bërë pas analizimit të situatës epidemiologjike, i ka propozuar kryeministrit Kurti dhe qeverisë që të bëj plotësim – ndryshimin e vendimeve në raport me masat të cilat kanë për qëllim mbrojtjen e shëndetit publik.
Ndër to edhe ndryshimin për vendimin e kufizimit të lëvizjes.
Ky është postimi i plotë i tij:
Ministria e Shëndetësisë në koordinim të plotë me GNMI, MPB dhe ministritë e linjës, konform Planit të Veprimit Kombëtar dhe në pajtim të plotë me masat emergjente të aprovuara nga Qeveria e Kosovës, pas analizimit të situatës epidemiologjike, monitorimit të kujdesshëm të këtyre ditëve, posa i propozoj Kryeministrit Kurti dhe qeverisë së Republikës plotësim-ndryshimin e vendimeve në raport me masat të cilat kanë për qëllim mbrojtjen shëndetit publik.
Ndër to edhe ndryshimi i vendimit sa i përket orareve të qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve. Tani ky kufizim do të jetë nga ora 17:00 deri në orën 06:00.
Të dashur qytetarë,
Bashkëpunimi juaj, vetdisiplina, kujdesi dhe solidariteti janë jetike në këtë betejë.
Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të jemi bashkë në administrimin e kësaj situate.
Ju lutem që të mirëkuptoni, ndiqni dhe të zbatoni të gjitha masat e reja. Për çdo shkelje të masave të përcaktuara, do të shqiptohen dënimet konform dispozitave ligjore.
Ju faleminderit për mirëkuptim!