Zyra e Kryeministrit ka dhënë detaje për vizitën e Kryeministrit Albin Kurti në Mitrovicën e Veriut.
Në njoftim, ZKM nuk ka përmendur çështjen e Urës së Ibrit, mirëpo ka ndarë një fotografi ku shihet Kurti duke kaluar mbi këtë urë.
Ndërsa në një tjetër fotografi, Kurti shihet duke biseduar me ushtarët italian të KFOR-it
Lidhur më çështjen e urës, Kurti ka folur para gazetarëve sot.
Kurti tha se vlerësimi i qëndrueshmërisë fizike dhe teknike të urës është bërë, por tani po presin nga vendet e QUINT-it dhe KFOR-i.
Sipas Kurtit, Ura e Ibrit duhet të hapet edhe për vetura, pasi edhe vetë marrëveshja në Bruksel e kërkon një gjë të tillë.
“Ne jemi gati, me konsultime dhe koordinim, po i presim QUINT-in dhe KFOR-in, ne i kemi kryer punët tona, kemi bërë përgatitjet sa i përket pastrimit, mjedisit rrotull aty, edhe vlerësimit të qëndrueshmërisë në aspektin fizik dhe teknik, tashmë kanë kaluar bukur kohë që raporti preliminar thotë se ura është e qëndrueshme, besoj ajo urë duhet të hapet edhe për automjete sepse liria e lëvizjes, sundimi i ligjit dhe marrëveshja në Bruksel e kërkojnë një gjë të tillë”, tha Kurti para gazetarëve.
Për çështjen e hapjes së Urës së Ibrit foli javën e kaluar edhe emisari sllovak, Miroslav Lajçak i cili pas takimit që pati me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, tha se ajo duhet të hapet vetëm në koordinim me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës.
“Diskutuam edhe për urën e Ibrit, qëndrimi i BE-së është i njohur dhe do ta përsërisim se ura duhet të hapet, por duhet të hapet në koordinim me me partnerët e ngushtë të Kosovës”, tha Lajçak para mediave.