Qeveria nën udhëheqjen e partisë “Evropa tani”, kryeministri Milojko Spajiq, por edhe ministri i Jashtëm në Qeverinë e Malit të Zi, Filip Ivanoviq, nuk janë deklaruar ende për vendimin e deputetes Maja Vukiçeviq nga Partia Popullore Demokratike për të votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës në mbledhjen e Komitetit për Çështje Politike të Këshillit të Evropës shkruajnë mediat në Mal të Zi.
Mediumi “Pobjeda”, ka kërkuar nga anëtari i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Vasilij Çarapiq nga partia në pushtet “PES”, si dhe nga kryeministri Milojko Spajiq dhe ministri i Punëve të Jashtme malazeze, Filip Ivanoviq, të komentojnë kundërshtimin e përfaqësuesit malazez për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Deri në publikimin e këtij shkrimi të Pobjedës nuk ka pasur asnjë përgjigje nga asnjëri prej tyre”, shkruan media.
Nga ana tjetër, opozita në Mal të Zi ka kritikuar vendimin e deputetes që vjen nga partia pro –serbe Vukiçeviq, duke thënë se se kjo kërcënon drejtpërdrejt orientimin evropian të Malit të Zi.