Vrasësit në Laç, u kapën me “IMSI Catcher” Llej Lika: Babai e Klajdi s’kanë lidhje, e vrava për dinjitet se më rrahën

Policisë së Lezhës, i është dashur të përdorë pajisjen gjurmuese “IMSI-Catcher”, për lokalizimin dhe arrestimin e tre personave që dyshohet se organizuan dhe kryen vrasjen e Rakip Rulit, mëngjesin e 10 Dhjetorit në fshatin Sanxhak të Kurbinit.

Motivi i këtij krimi lidhet me një rrahje që viktima dhe dy djemtë e tij i kanë bërë në 8 korrik 2021 në Sanxhak, Llej Likës, i cili në shenjë hakmarrje dhe për të vënë dinjitetit në vend, ka qëlluar për vdekje Rulin, sapo ai ka dalë nga shtëpia e tij.

“Ora News” zbulon detaje të reja, mbi mënyrën e arrestimit të 4 personave, ndërsa përdorimi i “IMSI Catcher” është kryer, për shkak se pas momentit të vrasjes, Llej Lika, babai i tij Skënder Lika dhe shoku i tyre Klajdi Gjexhaj, kanë mbyllur telefonat që kishin pasur në përdorim, duke përdorur numra të tjerë.

Disa biseda të kriptuara nga kjo pajisje, dhanë sinjale se personat ndodheshin në zonën e Fushë-Milotit, duke bërë që policia e Lezhës dhe Komisariati i Kurbinit, të përqendrojnë forcat, pikërisht në zonën ku fshiheshin autorët.

Policisë i është dashur të negociojë me qëllim dorëzimin e tyre, dhe shmangien e çdo përplasjeje me armë.

Pas arrestimit të Llej Lika, babai të tij, Skënder Lika, dhe shokut të tyre Klajdi Gjexhaj, në pranga ka rënë dhe shtetasi, David Gega, i cili akuzohet për “Përkrahje të autorëve të krimit”.

Kjo pasi në banesën e tij, Skënder Lika, kishte lënë një motor që pas vrasjes, e ka marrë dhe është larguar duke ndjekur nga pas të birin me makinën Benz.

Por dhe se në turrën e druve të banesës së David Gegës, është fshehur dhe automatiku. Armën e zjarrit e ka treguar vetë, Llaj Lika, i cili është çuar natën në vendngjarje nga policia e Lezhës, ku i veshur me jelek antiplumb, ka treguar armën e fshehur.

Ndërsa i vetmi që ka folur në polici dhe ka dhënë shpjegime ka qenë, djali i Skëndërit, Llej Lika, i cili u ka treguar policisë se vrasjen e kishte bërë i vetëm, duke shmangur nga kjo ngjarje babain e tij, Skënder Lika. “…unë kam vepruar i vetëm në vrasje, dhe gjithçka e kam kryer për hakmarrje.

Pasi Rakipi së bashku me dy djemtë e tij, në datën 8 korrik më kanë dhunuar shumë keq, dhe për shkak të dëmtimeve kam mare mjekim në spitalin Ushtarak në Tiranë. Babai im nuk ka lidhje me ngjarjen, pasi kur kam bërë vrasjen ai ka qenë në shtëpinë e tij…”-u ka treguar Llaj Lika policisë.

Ndërsa në dëshminë e tij, ai ka shmangur nga përgjegjësia penale dhe shokun Klajdi Gjexhaj, duke treguar se “…Klajdin e kam marrë në makinë, kur kam ikur nga vendngjarja.

E gjeta në rrugë rreth 50 metra larg vendit, ku vrava Rakipin dhe e mora në makinë. Ai nuk ka gisht në këtë ngjarje…”.

Në kamerat e sigurisë policia ka konstatuar se në ikje e sipër, në benzin e përdorur në vrasje janë dy persona, por ende është e paqartë nëse Klajdi Gjexhaj, ka qenë në makinë kur është qëlluar Rakip Ruli apo jo.

Ndërsa sipas dëshmisë së vetë Llaj Likës dhe banorëve të zonës, pas kryerjes së krimit, Lika ka shkuar në vendin ku ishte dhunuar në 8 korrik nga Rakipi dhe dy djemtë e tij, duke qëlluar një breshëri në ajër.

Shenjë kjo për të treguar se është hakmarrë dhe ka vënë dinjitetin në vend. Makina tip Benz-Mercedez, e përdorur në vrasje i përkiste familjes Lika, të cilën e kishin blerë në Fushë-Krujë, duke mos bërë kontratë noteriale.