Ilir Kumbaro, një prej të akuzuarve për rrëmbimin dhe vrasjen e Remzi Hoxhës rezulton të jetë arratisur në Brazil. Gazetari Artan Hoxha tha në studion e ABC përballë koleges Juli Xhokaxhi se informacioni i fundit ishte se ai qe arratisur nga Britania e Madhe në Kinë, por së fundmi është zbuluar se ai ndodhet në Amerikën Latine.
“Ilir Kumbaro në Amerikën latine. Është një njeri që i njeh mirë shërbimet sekrete. Informacioni i fundit ishte se mund të ishte larguar nga Britania në Kinë. Nga kërkimet që kanë bërë vetë bashkëpunëtorët e vet, ai ndodhet në Brazil. Nuk po punohet ende në Shqipëri. Është një ngjarje që e ka penalizuar Shqipërinë gjithandej. Është një ngjarje që ka emra, ka autor. Prokurori që hetoi çështjen, vdiq në rrethana që nuk i sqaruam dot kurrë. Drejtori i SHIK-ut të Tiranës u rikthye në detyra të rëndësishme dhe shërbeu si drejtor i tatimeve”, u shpreh Artan Hoxha.
Hoxha ndau detaje nga vendosja e emrit të një rruge në Shkup “Remzi Hoxha”. Ai tha se kjo është rruga e tretë që merr emrin e tij, ndërsa familjarët i kanë kërkuar autoriteteve shqiptare vendosjen e një pllakate përkujtimore në Vain ku dyshohet se është vrarë dhe një rruge në Tiranë ku ai është rrëmbyer.
“Ky ka qenë përvjetori më me pak impakt në Shqipëri. Familjarët e tij janë përpjekur të jenë gjithmonë me prezencë në Shqipëri dhe Kosovë. Këtë radhë kishin zgjedhur Shkupin. Qyteti i tretë me hapësirë shqiptare, që ka vendosur një rrugë me emrin Remzi Hoxha. Kemi tre rrugë, në Ferizaj, Kaçanik dhe tani edhe në Shkup rrugë me emrin Remzi Hoxha.
Nipi i Remzi Hoxhës ka marrë emrin e gjyshit të tij. Ata i kërkuan autoriteteve shqiptare të vendoset një pllakatë në Vain dhe Tiranës t’i vendosë emrin një rruge, aty ku është rrëmbyer. Ajo që ka ndodhur me Remzi Hoxhën është provuar që kemi të bëjmë me krim shtetëror. Familjarët nuk e kanë çuar çështjen në gjykatë ndërkombëtare për t’i shkaktuar një dëm shtetit pasi është krim shtetëror. Fakti që është nga ngjarjet e rralla ku nuk është gjetur trupi”, deklaroi Hoxha.