Tre të dyshuarit kryesorë për vrasjen e trefishtë që ndodhi gjatë ditës së djeshme në Gjilan, Mefail Shkodra dhe djemtë e tij, Edonis e Engjull Shkodra, vazhdojnë të jenë në arrati edhe sot.
Gjatë ditës së djeshme, Policia e Kosovës ka shpallur kërkim ndërkombëtar për kapjen e tyre dhe ka njoftuar të gjitha pikat kufitare për të parandaluar largimin nga vendi.
Drejtori rajonal i Policisë në Gjilan, Agron Rukiqi, kishte konfirmuar se një person është arrestuar në vendin e ngjarjes dhe po hetohet për mundësinë e përfshirjes së tij në krim.
“Personi i katërt është arrestuar në vend të ngjarjes pasi janë duke u hetuar të gjitha veprimet nëse i njëjti mund të ketë ndërlidhje me këtë rast”, tha Rukiqi.
Ai theksoi se për tre të dyshuarit e shpallur në kërkim është kërkuar bashkëpunim ndërkombëtar.
“Tre persona janë shpallur në kërkim policor, dhe është bërë kërkesa për bashkëpunim ndërkombëtar dhe janë njoftuar pikat kufitare”, deklaroi ai.
Rukiqi bëri të ditur gjithashtu se Mefail Shkodra ka një të kaluar të ngarkuar me precedentë penalë, duke numëruar 31 raste të regjistruara, përfshirë pesë akuza për sulm, tri për fajde, një për mashtrim, tri për kërcënim, një për shantazh, dy për detyrim, një për pjesëmarrje apo organizim të grupit kriminal dhe disa kundërvajtje në komunikacion.
“Të gjitha këto raste janë trajtuar nga policia, janë ngritur kallëzime penale dhe janë proceduar më tej. Ne e kemi kryer punën tonë”, u shpreh ai.
Ndërkohë, prokurori i rastit, Isuf Sadiku, konfirmoi se janë bërë disa kontrolle në adresa të ndryshme, por pa rezultat.
“Kemi bërë edhe disa urdhër-kontrolle, por kanë rezultuar që personat e dyshuar nuk gjenden aty. Për motivet është ende herët që të dalim me qëndrim”, tha Sadiku, duke shtuar se ditëve në vijim do të merren në pyetje edhe familjarët e viktimave.
Sipas Policisë, tre të dyshuarit janë larguar fillimisht në këmbë nga vendi i ngjarjes pas vrasjes, ndërsa një person tjetër u arrestua menjëherë aty. Hetimet po vazhdojnë me intensitet, dhe autoritetet kërkojnë bashkëpunimin e qytetarëve për çdo informacion që mund të ndihmojë në kapjen e tyre.
Në anën tjetër, familjarët e njërit nga të vrarët në vrasjen e trefishtë në Gjilan njoftuan se familjari i tyre, Abedin Hoxha, do të varroset sot.
“Të dashur familjarë, miqë dhe qytetarë, me dhimbje të thellë e me zemra të thyera ju njoftojmë që babai, vëllau, daja dhe familjari ynë i dashur Abedin Mehmetali Hoxha, dje, ndërroi jetë në rrethana të rënda tragjike në Gjilan. Për varrimin e tij ju njoftojmë nesër”, thanë dje familja.
Rusia është duke i ofruar Iranit informacione mbi vendndodhjen e luftanijeve dhe avionëve amerikanë në…
Shahid Bahman Bagheri ishte mjeti i parë lundrues i specializuar për dronë,një anije 240 metra…
Mediet arabe raportuan të premten informacionin se iranianët ekzekutuan gjeneralin Ismail Qa'ani si agjent të…
Presidenti Donald Trump mirëpriti të enjten një grup pasotrësh në Zyrën Ovale një grup klerikësh…
“Edhe të pasurit qajnë në kohë lufte.” Konflikti i fundit në Lindjen e Mesme po…
Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, e ka komentuar deklaratën e Vjosa Osmanit,…