Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, që prej mëngjesit të djeshëm deri mëngjesin e sotëm ndodhet në Drejtorinë e Vlorës, pas ngjarjes që tronditi vendin ku u ekzekutua me snajper mbrëmjen e 7 Janarit Gëzim Sinomati.
Burime bëjnë me dije se Rrumbullaku ka ngritur një grup të posaçëm hetimor, për të hetuar dhe zbardhur këtë atentat. Mësohet se kreu i Policisë së Shtetit ka zhvilluar një analizë shumë të gjatë, prej 24 orësh me grupin e posaçëm.
Të njëjtat burime bëjnë me dije se janë analizuar dosjet e ngjarjeve të vjetra kriminale brenda dhe jashtë vendit, si dhe pjesë e analizës kanë qenë edhe grupet kriminale. Po ashtu, po bashkëpunohet me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit.
Mësohet se janë grumbulluar një numër i madh i pamjeve filmike në zonë dhe në itinerarin që kanë lëvizur autorët. Burime bëjnë me dije se Rrumbullaku ka urdhëruar hartimin e një plani të detajuar operacional kombëtar, për parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe për goditjen e grupeve kriminale.
Dyshohet se Gëzim Sinomati u ekzekutua për veprimtarinë kriminale të babait të tij, Sokol Sinomati, i njohur me nofkën “buzëdërri”, i cili ka qenë anëtar i bandës së “Gaxhait” në qytetin bregdetar.
I riu u qëllua me snajper teksa ishte në ballkonin e banesës ku kishte dalë për të pirë cigare, nga një makinë tip “BMW X3” e vjedhur me targa të dubluara. Gëzim Sinomati është qëlluar nga sedilja e pasme e makinës në një distancë prej 35-40 m. Burime bëjnë me dije se në pjesën e pasme të makinës që u përdor nga atentatorët dhe që u gjet e djegur, është gjetur një bllok betoni, që ishte modifikuar në sediljen e pasme për të qëndruar qitësi.
Grupi hetimor dyshon se kemi të bëjmë me një qitës profesionist dhe vrasës me pagesë. Blloku i betonit ka shërbyer për të mbështetur armën në mënyrë që mos të ketë tronditje dhe të mos gaboi. Arma nuk është gjetur dhe as gëzhoja deri në këto momente.