Prokuroria e Vlorës ka kërkuar deklarimin fajtor të Arjan Tases dhe dënimin me 15 vite burg për “vrasje me dashje”.
Arjan Tase më 2 gusht 2022, teksa po drejtonte një skaf goditi për vdekje të mitrën Jonada Avdia.
“Në konkluzionet përfundimtare, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Vlorë, deklaron se provohet se ditën e ngjarjes, në datën 02.08.2022, rezulton se i pandehuri Arjan Tase, ka qenë në drejtimin e një mjeti lundrues me dy motorë dhe pasi ka lënë disa persona në breg të detit, në momentin që është nisur për të dalë nga zona ku notonte shtetasi B.A. me vajzën e tij Jonada Avdia, mjeti ka marrë shumë shpejtësi duke shkuar në drejtim të tyre dhe në marrjen e kthesës motorat e tij kanë kapur vajzën e mitur duke e prerë në të gjithë trupin. E mitura ndërroi jetë në moment”, njofton Prokuroria.
Në lidhje me të pandehurin Arjan Tase, nga analiza e akteve të administruara gjatë hetimit, kqyrja e vendit të ngjarjes, e pamjeve filmike, provohet të ketë konsumuar elementët e veprës penale të “Vrasje me dashje” në formën e dashjes indirekte.
Organi i akuzës, ka bindjen e plotë se i pandehuri Arjan Tase ka konsumuar elementët e veprës penale ‘Vrasja me dashje’, pavarësisht pretendimeve të mbrojtjes, në lidhje me kualifikimin e faktit penal si ‘Vrasja nga pakujdesia’.