Mercenari famëkeq rus, që besohet se ka luajtur një rol kyç në të shtënat masive ndaj të burgosurve të luftës ukrainas dhe në ekzekutimin e civilëve në rajonin e Donbasit, thuhet se është vrarë.
Sipas informacioneve të pakonfirmuara, 44-vjeçari Vladimir Andonov, i cili u quajt edhe “Ekzekutor” për shkak të brutalitetit të tij në luftërat e mëparshme në Siri dhe Libi, u vra nga një snajper ukrainas në Kharkiv.
“Vdekja e Vladimir Andonov, i njohur më mirë si Vaha, është raportuar në Ukrainë. Ai vdiq mbrëmë së bashku me mikun e tij”, njoftoi rusisht Moskovsky Komsomolets, transmeton Sky News.
Mercenari rus Vladimir Andonov dyshohet se u vra nga një snajper ukrainas në Kharkiv, qyteti i dytë më i madh në Ukrainë.
Andonov ishte pjesë e organizatës së një rrjeti mercenarësh të pamëshirshëm të quajtur Grupi Wagner, i cili shërben nën presidentin rus Vladimir Putin.
Ai gjithashtu thuhet se ka luftuar në forcat speciale në rajonin strategjik lindor të Donbasit kur Moska pushtoi Krimenë në vitin 2014.
Informacione për vdekjen e Andonovit janë publikuar edhe në kanalet Telegram ku shkëmbehen informacione për ushtrinë ruse.
“Ai vdiq natën, gjatë zbulimit të zonës, së bashku me shoqëruesin e tij, me siguri u vra nga një snajper”, ka shkruar një përdorues, duke cituar burime nga Buryatia, rajoni lindor i Rusisë.
Vdekja e tij pasoi raportimet për humbjen e dy gjeneralëve rusë në një sulm me raketa.
Media shtetërore ruse konfirmoi gjithashtu vdekjen e gjeneralmajor Roman Kutuzov në Donetsk. Përmendet edhe vdekja e gjeneral kolonelit Roman Berdinkov, i cili do të ishte gjenerali më i lartë rus i vrarë në Ukrainë.