“Ndalini ju ose do t’i ndalojmë ne”, janë fjalët që Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç tha se i ka kumtuar Përfaqësuesit të Posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Presidenti i Serbisë, në mbledhjen urgjente që ka thirrur me serbët e Kosovës në garnizonin ushtarak të Rashkës, të mbledhurëve u është drejtuar me “unë mendoj njëjtë si ju”, pasi ata bënë ankesat e tyre për aksionin policor të së mërkurës në nivel vendi në Kosovë, por që përfshinë edhe Komunën e Mitrovicës së Veriut dhe Zveçan-in.
“Unë do t’ju dëgjoj tërë ditën, po qe nevoja 24 orë, dhe do t’ju përgjigjem të gjithëve”, u tha Presidenti i Serbisë të mbledhurve serbë.
“Një pjesë e fuqive perëndimore duan të shkatërrojnë Veriun e Kosovës, mos harroni, disa prej tyre jo vetëm që e duan Kosovën e pavarur, por më shumë që ta dobësojnë Serbinë, dhe ata nuk dorëzohen në këtë gjë, që Kosova të jetë krejtësisht e pavarur”, u tha Vuçiç të mbledhurve.
Dhe, tha ai, “ju e patë që sot asnjëri nuk doli të thotë që shqiptarët kanë faj. BE bën kinse nuk po e din çfarë po ndodh”.
Vuçiç tha se preferon paqen dhe respektimin e marrëdheshjeve, ndërsa, “atyre u them që Serbia nuk është më Serbia e viteve 1990”.
“NATO-s i kërkojmë që të bëjnë punën e tyre, dhe shqiptarëve u kërkoj të mos mundohen me dhunë t’u vënë rend e rregull serbëve”.
“Nëse synojnë zgjidhje me dhunë, përgjigja jonë do të jetë e pastër si loti. Dhe ju them këto jo vetëm që do të luftojmë për të ruajtur jetët e fëmijëve tonë, ose të ju mbrojmë juve, po ju them këtu që atë luftë edhe do ta fitojmë”, deklaroi Vuçiç
Ndërsa, shtoi se “në një takim të tillë, nuk e kuptoj pse duhet të ketë kamera këtu”, por se megjithatë, tha ai, “është dëshira juaj, dhe unë pajtohem me atë”.
Vuçiç tha se “kam pirë qetësues” në mënyrë që të jem i qetë “duke e ditur që dikush ka shtënë me armë mbi njerëz”.
Ndërsa brohoritjet e të mbledhurve serbë ishin se “kjo do të jetë hera e fundit”, kurse Ministri i Qeverisë së Kosovës, Goran Rakiç, tha se “nëse ka herë tjetër, do të mbrohemi me gjithçka që kemi”.
“Nuk do të ketë herë tjetër, na qëlluan vëllaun tonë që ishte bashkë me ne”, bërtiti një serb nga publiku.
Ndërsa edhe vetë Vuçiç tha se është i “interesuar të dij se si u qëllua Sofronijeviç”.
“Nuk do t’ju flas shumë për të kaluarën. Nuk do të flas se sa shumë serbë ka pasur në Kosovë në vitin 1961 dhe sa kanë mbetur sot në Kosovë”, tha ai.
“Besoj shumë mirë se ju e dini se sa shumë kemi luftuar për të ruajtur shtetin dhe popullin serb, pa e rrezikuar tërësinë e popullit dhe shtetit”.
Vuçiç tha se i kupton brengat e serbëve dhe i garanatoi se mendon njëjtë sikurse ata.
Në këtë mbledhje në garnizonin ushtarak të Rashkës afër kufirit me Kosovën, përveç Presidenti të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ishte edhe Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Nebojsha Stefanoviç, Ministri i Punëve të Brendshme, Aleksandër Vulin, si dhe Gjenerali i Ushtrisë së Serbisë, Millan Mojsilloviç.