Serbët e Kosovës janë nisur dje dhe sot në mëngjes nga Mitrovica e Veriut, Graçanica, Leposaviqi, Zubin Potoku, Shtërpca për në Beograd me ftesë (dhe me detyrim) të liderit serb, Aleksandar Vuçiq të marrin pjesë në kundër-protestën e organizuar nga ai ndaj protestave të dhjetëra mijëra qytetarëve që po protestojnë ditë me radhë kundër despotizimit të tij në Serbi.
Sipas informacioneve të Radios Evropa e Lirë në gjuhën serbe, kuota e njerëzve që do të vijnë në këtë miting të premten duhet të plotësohet nga secila prej katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Këtë informacion e ka konfirmuar një mësuese e një shkolle fillore në Mitrovicën e Veriut, por me kusht që të mos zbulohet identiteti i saj. Ajo thotë se ka qenë në listën sipas së cilës duhet të udhëtojë për në Beograd të premten dhe transporti do të jetë i organizuar dhe pa pagesë.
“Na thanë se duhet të largohen 50 punonjës nga shkolla jonë, e kam kuptuar si obligim pune, nuk na ka kërcënuar askush, jemi marrë vesh mes vete, transporti është i organizuar, por nuk e dimë ende se kur do të nisemi”.
Situata është pothuajse identike në zonat e tjera serbe në jug dhe në veri të Ibrit me të punësuarit në institucionet arsimore dhe shëndetësore, raporton REL.
Këto dy institucione në komunitetet serbe në Kosovë punojnë në sistemin serb dhe financohen nga buxheti i Serbisë. Përveç pagës së rregullt mujore, këta punëtorë marrin edhe të ashtuquajturën shtojcë të Kosovës, gjegjësisht 50 për qind shtesë të pagës bazë.