Vuçiq në tension pas anulimit të vizitës së Lavrov, po përgatit reagim ndaj tri vendeve që mbyllën hapësirën ajrore

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, thuhet se do të bëjë reagim publik ndaj tre vendeve ballkanike të cilat mbyllën hapësirën ajrore, për avionin e ministrit të jashtëm të Rusisë, i cili kishte paralajmëruar vizitë në Beogradin zyrtar më 6 dhe 7 qershor.

Siç raportojnë mediat e huaja, Vuçiq pritet që nesër në ora 20.30 të bëjë adresim për media në televizionin shtetëror serb, duke iu drejtuar edhe kombit të tij, lidhur me zhvillimet, përcjell klankosova.tv.

”Vuçiq do të bëjë deklarata në televizionin shtetëror nesër në ora 20.30 dhe do të reagojë ndaj tre vendeve dhe vendeve perëndimore, që kanë marrë këtë vendim”, citohet të jetë thënë nga transmetuesi shtetëror serb.

Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, kanë mbyllur hapësirën e tyre ajrore për avionin i cili do të transportonte kryediplomatin e Moskës për në Beograd të hënën me ç’rast rezultoi edhe me anulimin e vizitës së tij.