Vuçiqi, me kartën e Kosovës, ia mori 300 milionë euro BE-së (III)

“New York Times”: Presidenti, huliganët e futbollit dhe “shtëpia e tmerreve” e botës së krimit (Pjesa e tretë e shkrimit)

Në të njëjtën kohë, Vuçiqi u bë më i hapur në miqësinë me liderët autoritarë të Rusisë, Hungarisë dhe Kinës. Pavarësisht gjithë këtyre shenjave të rrëshqitjes, liderët evropianë vazhduan ta përshëndesnin ngrohtësisht, duke bërë investime dhe duke mos dhënë asnjë shenjë se aplikimi serb për BE ishte në rrezik. (Në vitin 2020, BE-ja i dhuroi Serbisë rreth 300 milionë euro dhe ajo përbënte 62 për qind të tregtisë së Serbisë.) Arsyeja nuk ishte sekrete: statusi i Kosovës është ende i pazgjidhur. Evropianët i lidhnin shpresat e tyre te Vuçiqi për të mbikëqyrur një zgjidhje. “Ai është shumë i fuqishëm, dikush që mund t’i bëjë gjërat nëse dëshiron”, më tha një diplomat gjerman. “Vuçiqi mund të jetë njeriu që mund të shënojë përparim thelbësor lidhur me Kosovën”

Robert F. Worth

Sikurse Aleksandar Vuçiqi, edhe Belivuku u formësua nga lufta në Bosnjë-Hercegovinë, megjithëse ishte shumë i ri për të pasur ndonjë rol në të. Një mëngjes funddimri të vitit 1995, kur lufta ishte në kulmin e saj, një shpërthim ndodhi në shtëpinë e familjes Belivuk në Beograd, duke vrarë tre persona. Inspektor i mjekësisë ligjore në vendngjarje atë ditë ishte një burrë i quajtur Çaslav Ristiq, tashmë veteran në punën e tij. Kur e takova në Beograd ishte pensionist 63 vjeç, me fytyrë të mërdhezur, flokë të bardhë të dobësuar dhe sjellje të ashpër. Ai kishte sjellë copa gazetash të zverdhura në lidhje me shpërthimin, së bashku me fotografitë e tij polaroid nga vendi i krimit.

Belivuku kaloi nëpër trupat e nënës dhe gjyshes

Babai i Belivukut, më tha Ristiqi, ishte veteran që sillte armë në shtëpi nga lufta; ai mbante dy granata në një sirtar kuzhine. Ai kishte qenë në depresion dhe pasi debatoi me gruan e tij, u largua dhe i aktivizoi dy granatat. Me sa duket kishte për qëllim vetëm të vriste veten. Gruaja dhe vjehrra ishin dëm kolateral. Më pas, 9-vjeçari Belivuk “duhej të truponte nëpër korridor, duke kaluar trupat e pajetë, në shtëpinë e fqinjit”, tha Ristiqi. (Të vetmet lëndime të dukshme që kishte ishin disa prerje). Ristiqi më tha se ishte një rast i pazakontë, por vetëm ngase babai kishte vrarë veten me dy granata.

“Zakonisht ata përdornin vetëm një”, tha ai.

“Jeniçerët”, “projekt shtetëror” i Vuçiqit

Belivuku mund të kishte mbetur një bandit i vogël, po qe se jeta e tij nuk do ta merrte teposhtën me ngritjen e Vuçiqit. Rreth vitit 2012, ndërsa Vuçiqi po fitonte kontrollin mbi agjencitë e sigurisë së vendit, një grup i ri huliganësh u shfaq në stadiumin e “Partizanit” të Beogradit dhe Belivukut iu kërkua t’i bashkohej turmës. Shumica e tifozerive të futbollit janë të përjetshme në Serbi, por drejtuesit e grupit të ri përbëheshin kryesisht nga njerëz pa lidhje të mëparshme me “Partizanin”. Emri i grupit, “Jeniçerët”, ishte pranim dinak i këtij fakti: Jeniçerët ishin forcë ushtarake elitare osmane e përbërë kryesisht nga djem të marrë nga familjet e tyre të krishtera dhe të gatitur e kalitur si vrasës të pamëshirshëm për shtetin osman. Aty ku huliganët e mëparshëm kishin mbështetje joformale dhe të rastësishme nga policia, kryesisht për shitjen e drogës, lidhjet e këtij grupi të ri me shtetin ishin të drejtpërdrejta dhe politike. Emri i udhëheqësit të tij të parë do të shfaqej më vonë në shënimet e shkruara me dorë të një zyrtari të zbatimit të ligjit krahas etiketës “Projekt shtetëror”, në prova të zbuluara nga gazetarët hetues serbë.

Belivuku dhe shefi i tij i ri – një huligan tjetër i quajtur Aleksandar Stankoviq, i njohur si “I heshturi” – shpejt filluan të bashkëpunonin ngushtësisht me klientët e tyre në Ministrinë e Brendshme. Marrëdhënia u ekspozua në një seri fotografish dhe shkëmbime tekstesh që u shfaqën në një proces gjyqësor vite më vonë. Në një nga shkëmbimet, Belivuku e theksonte besnikërinë e tij dhe një zyrtar i Ministrisë së Brendshme i ktheu një mesazh: “Atë e di. Shefi e di. Shefi i madh e di”. Tekstet nuk detajojnë se për kë fliste, por eprori i parë i ministrit ishte një grua. Vuçiqi asokohe ishte kryeministër dhe shef i Sigurimit.

Belivuku më vonë do të pretendonte në gjykatë se “Jeniçerët” ndihmuan në realizimin e një rrënimi të pacipë në qendër të Beogradit që hapi rrugën për një projekt ujor që një nga aleatët e Vuçiqit e ndërmjetësoi me liderin e Emirateve të Bashkuara Arabe. Ai rast, në të cilin dhjetëra persona të maskuar përdorën buldozerë për të shkatërruar një rrugë plot me ndërtesa që ishin pengesë e projektit, mbetet i pazbardhur.

Huliganët homofobë që siguruan paradën

Çuditërisht “Jeniçerët” duket se kanë ndihmuar edhe në sigurimin e paradës së homoseksualëve për Vuçiqin. Ishte pak jashtë karakterit për huliganët, një turmë jashtëzakonisht homofobike që e kishte kthyer rastin në një përleshje të përgjakshme në vitet e kaluara. Por Vuçiqi me sa duket mendoi se dhuna po bëhej pengesë për aplikimin e Serbisë për t’u anëtarësuar në BE. Sipas B., i cili nuk ishte vetë i pranishëm, Vuçiqi organizoi një takim prapa dyerve të mbyllura me një grup liderësh huliganë, duke mbajtur në dorë një pako të trashë dosjesh dhe duke u premtuar atyre se çdo akuzë e mëparshme penale kundër tyre do të pezullohej nëse do të ruanin paqen gjatë ngjarjeve të “Paradës së krenarisë”. Pas kësaj, paradat u organizuan pa probleme.

Nuk isha në gjendje të konfirmoja se Vuçiqi e kishte mbajtur ndonjëherë një takim të tillë. (Vuçiq rrallë jep intervista në media të huaja dhe zëdhënësit e tij nuk iu përgjigjën kërkesave të mia për një të tillë). Por Stankoviqit – shefit të Belivukut – duket se i janë pezulluar rastet penale. Kur iu besua timoni i bandës, veçse ishte dënuar me pesë vjet burg për trafik droge dhe armëmbajtje pa leje. Në vitet në vijim, dënimi u shty disa herë për pretendime të rreme mjekësore, duke përdorur formularët e mjekëve që më vonë rezultuan të falsifikuara, sipas dokumenteve të zbuluara nga “Vreme”, e përjavshme e Beogradit.

Amnistimi i kriminelëve dhe perandoria kriminale e mediave

Menjëherë pas kësaj, Vuçiqi u pyet gjatë një interviste nëse planifikonte të bënte diçka për rritjen e dhunës huligane. Ai u përgjigj se i mungonte fuqia për ta bërë këtë, sepse nuk kishte “konsensus të përgjithshëm shoqëror” për këtë çështje. Ishte Vuçiqi vendimtar: edhe sulmues, edhe gardian, dhe kjo punë shpejt u harrua mes vorbullës së vazhdueshme të krizave reale dhe të prodhuara në Serbi.

Ndërsa konsolidonte pushtetin, Vuçiqi e riformësoi vazhdimisht Serbinë drejt autokracisë. Më 2019, organizata jofitimprurëse “Freedom House” e zbriti Serbinë në vlerësimin e përvitshëm të demokracive nga të lira në pjesërisht të lira, duke përmendur politizimin e gjyqësorit dhe të institucioneve të tjera dhe zgjedhjet me një mal me sulme e ryshfet. Megjithëkëtë, aplikimi i Serbisë për anëtarësim në BE kaloi me qetësi, sikur burokratët në Bruksel nuk e kanë vënë re që Vuçiqi po lëvizte në drejtimin e gabuar.

Një levë e rëndësishme e pushtetit për Vuçiqin janë mediat. Ai ka përdorur kompaninë shtetërore të telekomunikacionit për të blerë stacione televizive lokale dhe aleatët e tij drejtojnë një treshe organizatash mediatike që ndjekin paturpësisht linjën e Partisë Progresive dhe i japin kohë të bollshme transmetimi vetë Vuçiqit. Këto përfshijnë rrjetin televiziv, Pink, që është i specializuar në shfaqjet e mrekullueshme të bisedave dhe reality show. Por më i paturpshmi është “Informeri”, një tabloid skandalesh që merret me punë të ndyra e boton imazhe të grave të rreme.

Në fillim të 2017-s, Vuçiqi shpalli kandidaturën për president. Fushata që pasoi ishte e mbushur me akuza për frikësim të votuesve, teksa disa punonjës publikë thanë se iu bë presion për të mbështetur partinë në pushtet, sipas një raporti nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë. Mbulimi mediatik u dominua nga organet e partisë, të cilat njollosën e ndotën rivalët e Vuçiqit. Ai mori 120 herë më shumë mbulim se dy kandidatët kryesorë të opozitës së bashku, njoftonte Birodi, grup i pavarur kërkimor.

Putini i vogël i Ballkanit

Vuçiqi fitoi Presidencën me një diferencë të konsiderueshme. Me partinë e tij që dominonte Parlamentin, tani kontrollonte çdo degë të Qeverisë dhe ishte në gjendje të zgjidhte pasardhësin si kryeministër, një lëvizje që ngjasoi me ato të Putinit, i cili më 2008 e vendosi Dmitri Medvedevin në karrigen e presidentit për të ofruar një mirazh të rendit demokratik në Rusi. Gjatë ceremonisë së inaugurimit të Vuçiqit, huliganët, duke përfshirë një anëtar të “Jeniçerëve”, ndihmuan për të grumbulluar dhe larguar protestuesit. Stili qeverisës i Vuçiqit po bëhej haptazi autoritar, me shfaqje të shtirura publike të besnikërisë nga aleatët e tij.

Në të njëjtën kohë, Vuçiqi u bë më i hapur në miqësinë me liderët autoritarë të Rusisë, Hungarisë dhe Kinës. Pavarësisht gjithë këtyre shenjave të rrëshqitjes, liderët evropianë vazhduan ta përshëndesnin ngrohtësisht, duke bërë investime dhe duke mos dhënë asnjë shenjë se aplikimi serb për BE ishte në rrezik. (Në vitin 2020, BE-ja i dhuroi Serbisë rreth 300 milionë euro dhe përbënte 62 për qind të tregtisë së Serbisë). Arsyeja nuk ishte sekrete: statusi i Kosovës është ende i pazgjidhur. Evropianët i lidhnin shpresat e tyre te Vuçiqi për të mbikëqyrur një zgjidhje. “Ai është shumë i fuqishëm, dikush që mund t’i bëjë gjërat nëse dëshiron”, më tha një diplomat gjerman. “Vuçiqi mund të jetë njeriu që mund të shënojë përparim thelbësor lidhur me Kosovën”.

Vulini, “masha” e Vuçiqit për “Serbinë e madhe” të radhës

Vuçiqi dërgoi sinjale qetësuese për evropianët, por ai kishte mesazhe të tjera për bazën e tij konservatore dhe për nacionalistët serbë që mbështet në Bosnjë, Kosovë dhe Mal të Zi. (Ai e ndan këtë gjuhë sfiduese me Putinin, i cili ka pohuar vazhdimisht kundërshtimin e tij ndaj pavarësisë së Kosovës). Këto mesazhe shpesh jepen nga Aleksandar Vulini, ministri i Brendshëm, i cili ankohet rregullisht se serbët në vendet e tjera të Ballkanit po keqtrajtohen. Vulini dhe nacionalistët e tjerë lënë të kuptohet se qëllimi i tyre i vërtetë është një Serbi e madhe – e njëjta ëndërr që ndihmoi ta çonte Ballkanin në luftë më 1991.

Bandat kanë rolin e tyre për të luajtur në këto maskarada politike. Kosova veriore, me popullsinë e saj kryesisht serbe, është nominalisht nën kontrollin e Qeverisë kombëtare në Prishtinë. Në realitet, ajo dominohet nga grupet e krimit të organizuar që shihen gjerësisht si aleatë të partisë së Vuçiqit dhe janë akuzuar nga Departamenti amerikan i Thesarit për komplot me zyrtarët serbë të sigurimit, por edhe për kontrabandë. Kjo i jep Vuçiqit një levë të rëndësishme për të ulur ose ngritur tensionet rajonale. Por si mjete të shtetit, mafiozët mund të jenë jo të besueshëm.

Nata e zezë e 13 tetorit 2016!

Shenja e parë e telasheve të njëmendta në marrëdhëniet e administratës së Vuçiqit me huliganët u dha natën e 13 tetorit të 2016-s. Belivuku sapo kishte dalë nga palestra e tij në Beograd së bashku me shefin e tij, Stankoviq, kur një ekip vrasësish kaloi me shpejtësi me një “Audi” të zezë dhe hapi zjarr me kallashnikov. Ndërsa Belivuku u përkul pas një makine, personat e armatosur u larguan me shpejtësi, duke e lënë të vdekur në vend Stankoviqin. Skena e krimit u rrethua shpejt nga policia, sipas një historie të dokumentuar me përpikëri të publikuar vjeshtën e kaluar në “Vreme”. Një nga oficerët, në telefon me shefin e tij, bërtiti: “Kush është Belivuku?”, “Kur Belivuku u përgjigj, oficeri tha, me sa duket, duke iu referua eprores së tij: “Ajo ju tha të ktheheshit në strehë”. Banda kishte një drejtues të ri.

Vrasja mund të ketë qenë e lidhur me rolin e Stankoviqit si një “projekt shtetëror”. Sipas raportit të “Vremes”, Stankoviqi, i cili kishte vozitur me një “Audi” të blinduar të pajisur me një radio policie, po merrte dërgesa kokaine me çmime më të ulëta se gangsterët e tjerë dhe ata ishin të zemëruar. Por mësimi kryesor prej vrasjes së Stankoviqit ishte se banda e Belivukut ishte përfshirë në një luftë gjithnjë e më të dhunshme midis klaneve të drogës në rajon. Tregtia e kokainës ishte më fitimprurëse se kurrë, me kartelet e Amerikës Latine që i kthyen sytë nga tregu evropian në rritje. Megjithëse pjesa më e madhe e kokainës së Evropës mbërrin nëpërmjet porteve të kontejnerëve në Evropën Veriore, rruga ballkanike po bëhej më e rëndësishme dhe pjesa më e madhe e saj ishte e fokusuar në Malin e Zi, fqinjin jugor të Serbisë. Mali i Zi është i vogël – popullsia është pak më shumë se 600.000 banorë, por ka disa veçori që e bëjnë të përshtatshëm për tregtinë, duke përfshirë vijën e gjatë bregdetare të Adriatikut. Ashtu si Sicilia, është i varfër dhe i dominuar nga klane me reputacion për paligjshmëri. Dhe ka një histori të kontrabandës, një praktikë e nxitur nga Qeveria gjatë luftërave civile të viteve ‘90.

Lufta vdekjeprurëse e bandave

Lufta e bandave filloi pas rënies së Darko Shariqit, bosit të drogës, arrestimin e të cilit Vuçiqi e njoftoi me ceremoni të bujshme më 2014. Shariqi kishte ndërtuar një bazë narkotikësh në Kotor, qytet i mrekullueshëm portual mesjetar në bregdetin malazias, që është një vend i trashëgimisë botërore të mbrojtur të UNESCO-s. Një grup trafikantësh të Kotorit trashëguan lidershipin e tij dhe më pas u ndanë në klane rivale për një ngarkesë 200-kilogramëshe kokaine. Lufta u kthye shpejt në vdekjeprurëse, me atentate baticë që ndodhën në Serbi dhe Mal të Zi. Klanet ndërluftuese, Kavaç dhe Skaljar, kishin krijuar lidhje me policinë dhe agjencitë e Inteligjencës në të gjithë Ballkanin, të cilat po tërhiqeshin në dhunë.

Vrasja e Stankoviqit u pa në Beograd si një shenjë se lufta e klaneve po dilte jashtë kontrolli. Në mëngjesin pas vdekjes së Stankoviqit, ministri i Brendshëm serb i asaj kohe, Nebojsha Stefanoviq, mbajti një konferencë shtypi për të njoftuar se ishte bërë boll: Ishte koha për të goditur mafinë. Siç ndodhi, gjërat do të përkeqësoheshin shumë.

Një nga veprimet e para të Belivukut si bos ishte ndryshimi i emrit të bandës së tij në “Principi”. Në një intervistë me një të përjavshme të Beogradit – të vetmen që dihet se e ka dhënë – ai tha se kjo ishte për shkak se ai vepronte “me parime”. Ai nuk tha se cilat ishin ato parime. Emri mbante një tjetër lidhje të heshtur: Gavrilo Principi, nacionalisti serb i Bosnjës që e nisi Luftën e Parë Botërore, duke vrarë arqidukën Franz Ferdinand në Sarajevë më 1914 dhe që ende konsiderohet gjerësisht hero midis serbëve për qëndrimin e tij të guximshëm kundër perandorisë austro-hungareze.

I biri “pa pozitë”, por i gjithëpushtetshëm i Vuçiqit

Belivuku u bë kryelajm disa muaj më vonë, kur ai dhe bosi i tij i madh, Marko Milkoviq, i njohur si Kasapi, u akuzuan se vranë një burrë në qendër të Beogradit. Viktima ishte një ekspert i arteve marciale, i cili punonte si rojtar në një klub nate në Beograd në një nga gomonet buzë lumit. Në televizionin e tij të preferuar, Pink TV, presidenti Vuçiq shpjegoi se ky njeri ishte në shënjestër “sepse pengoi disa nga njerëzit e Belivukut dhe Milkoviqit të merrnin gomonen. Kur vjen në bunkerin e stadiumit, merr një gram drogë 50 euro, pastaj përhapet në të gjithë Serbinë, e shesin në gomone për 70 euro. Ai çmim vetëm rritet. Dhe kjo është arsyeja pse ky njeri u vra”. Duke dëgjuar këtë, Belivuku mund të kishte imagjinuar lehtësisht se mbështetja e tij shtetërore ishte davaritur. Provat e ADN-së që implikonin Belivukun u zhdukën në mënyrë misterioze dhe ai dhe zëvendësi i tij u shpallën të pafajshëm (megjithëse kaluan pak kohë në burg para vendimit).

Një tjetër shenjë e paprekshmërisë së Belivukut ishte shfaqja e një mysafiri në tribunat e futbollit: Danilo Vuçiqi, djali më i madh i presidentit. Fotografitë e Danilos me krahët e tij rreth anëtarëve të bandës së Belivukut u shfaqën në mediat e pavarura të Beogradit duke e shtyrë presidentin të sulmonte me tërbim dhe të akuzonte gazetarët për shënjestrimin e padrejtë të familjes së tij. Vuçiqi ka thënë vazhdimisht se djali i tij, i cili punon në një dyqan vere, është qytetar privat pa pozitë zyrtare. Por Danilo duket se luan rol të paqartë politik. Dy vjet më parë, ai mirëpriti publikisht një kriminel serb të luftës pasi kishte vuajtur kohën e tij në Kroaci dhe, sipas raporteve të mediave serbe, ia dorëzoi atij 30.000 dollarë para të gatshme, së bashku me çelësat e një apartamenti në Beograd dhe një makinë. Origjina e kësaj madhështie nuk është shpjeguar kurrë. (Zëdhënësit e Vuçiqit nuk iu përgjigjën kërkesave për koment). Danilo është fotografuar gjithashtu përkrah liderit të Patrullës Popullore, një grup nacionalist i ekstremit të djathtë që organizon protesta kundër imigracionit dhe së fundmi kërcënoi se do të kalonte kufirin në mbrojtje të serbëve etnikë që jetojnë në Kosovë.

(Vijon)

Përktheu: Rexhep Maloku