Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq masakrën e Reçakut e quajti “krim të trilluar dhe se gjithçka ishte trillim i një mashtruesi, siç është William Walker”.
E kjo deklaratë ngjalli reagimet të ashpra tek pala kosovare.
Njohësi i rrethanave politike në vend, Ramush Tahiri thotë për Ekonomia Online se Vuçiqi është pasues i politikave të Millosheviçit, i cili konfliktin në Kosovë e konsideronte lutë civile.
Ai thotë se këto deklarata të politikanëve serbë vijnë pasi që Bashkësia Ndërkombëtare nuk ka dënuar asnjëherë politikën shtetërore serbe, por vetëm individë të caktuar.
Ndërsa thekson se qeveria e ardhshme do të duhej të vendoste si parakusht pranimin e fajësisë nga Serbia në mënyrë që të vazhdohet dialogun në kushte të barabarta.
“Pse Vuçiqi e mohon sepse ai është pasues i politikave të vjetra të Millosheviçit dhe konsideron se është luftë civile dhe konsideron se gjatë luftës me UÇK-në ka ndodh edhe dëmet anësore të civilëve. Bashkësia Ndërkombëtare nuk e ka dënuar politikën e Millosheviçit. Ka dënuar individë por jo politikën shtetërore dhe sot Daçiq por edhe Brnabiq konsiderojnë se NATO ka bërë agresion ndaj një vendi neutral dhe se është përzier në një konflikt civil. Pra është komplet një koncept tjetër i cili duhet të ndryshohet. Po të kishte mundësinë Kosova do të ishte parakusht për çdo bisedim që të pranohet fajtori për luftën dhe që të vazhdon dialogu shtet me shtet”, thotë ai.
Tahiri thotë Kosova nuk e ndoqi rrugën e Kroacisë dhe dështoi në dënimin e kriminelëve serbë.
Për këtë Tahiri fajin ua hedh ndërkombëtarëve, por edhe politikanëve shqiptarë të cilët sipas tij bën kompromise në dëm të vendit.
“Kroacia është pranuar anëtare e Kombeve të Bashkuara, gjithashtu dhe Bosnja dhe problemet që i kanë me Serbinë, kjo e fundit nuk mund t’i kushtëzojë në politikën e saj dhe gradualisht ani që Serbia është bërë trashëgimtare e ish-Jugosllavisë edhe në INTERPOL po i ndjek krimet, ndërsa Kosova nuk ka punuar fare. As politika e jashtme s’ka punuar, lëndët janë ngrit, por si duket Kosova për shkak kompromisit politik, udhëheqësit e atëhershëm s’kanë qenë të interesuar t’i procedojnë këto raste. Kur kanë qenë ndërkombëtarët normalisht për shkak të qetësisë ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, ndërsa Serbia edhe sot deklaron se po duan të gjykohen njerëzit që e kanë mbrojtur shtetin dhe që i kanë mbrojtur familjarët e vet, e ka fjalën për policët, ushtarët dhe paramilitarët që kanë luftuar në Kosovë”, thotë ai.
Tahiri këshillon qeverinë në ardhje që të merret seriozisht me krimet serbe, pasi që shtohet rreziku që për luftën në Kosovë të dënohen më shumë shqiptarë se sa serbë.
“Dhe krejt këtë koncept qeveria e re duhet t’ia lë drejtësisë, gjykatave, prokurorive, jo të bëjë propagandë sepse s’ka arsye dhe gjykatat të fillojnë me procedimin e rasteve sepse secila komunë dhe lagje i ka faktet dhe dëshmitë e veta. Në Kosovë kanë ndodhur shumë krime sepse i kemi rreth 12 mijë persona të vrarë dhe nuk kemi gjykime. Nuk kemi kriminelë që kanë ndalur para drejtësisë, ndërsa po e kemi shumë aktive Gjykatën Speciale e cila po e gjykon UÇK-në. Do të ishte turp që Kosova të ketë dënuar më shumë shqiptarë sesa serbë, pra më shumë ushtarë të UCK-së se sa të kriminelë të Arkanit, Sheshelit etj”, thotë ai.
Në Reçak, më 1999 ishin vrarë 45 civilë shqiptarë nga forcat paramilitare serbe. Kjo ngjarje ishte cilësuar “krim kundër njerëzimit” nga ish – shefi i Misionit Verifikues në Kosovë, ambasadori William Walker.
Masakra e Reçakut, njihet si një nga ngjarjet që ka shënuar kthesë në diplomacinë ndërkombëtare në raport me Serbinë dhe Kosovën, duke u paraprirë proceseve që çuan te fushata e bombardimeve të NATO-s kundër caqeve ushtarake të Serbisë.