Vulin i frikësohet anëtarësimit të Kosovës në NATO: “Formë e re e presionit ndaj Vuçiç”

Për Ministrin e Brendshëm serb, Aleksandër Vulin, anëtarësimi i Kosovës në NATO do të përbënte, siç thotë ai, kërcënim për sigurinë e Serbisë dhe rrjedhimisht do të përshpejtonte mundësinë e një konflikti të armatosur.

Sipas Vulin, i cili është “zëdhënësi” më i zëshëm i Presidentit Vuçiç, anëtarësimi i Kosovës në Aleancën Veri-Atlantik nënkupton anulimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe shfuqizimit të Marrëveshjes së Kumanovës.

“Anulohen të gjitha garancitë e OKB-së ndaj Serbisë si dhe NATO detyrohet të mbrojë në përputhje me nenin 5 të Kartës së saj, integritetin territorial të anëtarit të sapo pranuar”, ka thënë Vulin, raporton tabloidi serb, Danas.

“Futja me forcë e Kosovës në paktin e NATO-s” sipas Vulin nuk është vetëm shkelje e procedurave të anëtarësimit në bllokun perëndimor të sigurisë, por edhe një “kërcënim” i hapur ndaj Serbisë e cila duhet të lexohet si një formë e re e presionit ndaj Vuçiç.

Ndryshe, eprori i tij, Vuçiç, u shfaq tejet i shqetësuar në një konferencë për media dy ditë më parë, me friken se nëse Rusia përjashtohet nga OKB, atëherë mundësia e njohjes së Kosovës si shtet është reale.

“Pres që në periudhën e ardhshme të ketë disa kurthe për Serbinë. E patë që shqiptarët aplikuan për anëtarësim në NATO, e patë që morën mbështetjen e një forcë si Turqia”, kishte pohuar Vuçiç.

“Ata planifikojnë të iniciojnë vënien në diskutim të bazës ligjore të Nenit 6, atëherë hapet mundësia për ndryshimin e rezolutës 1244, pas së cilës nuk do të na mbetej më asnjë bazë ligjore dhe do të pasonte njohja e pavarësisë së Kosovës”.