Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhune psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre dhe anëtarët tjerë të familjes.
Për një rast të tillë që ka ndodhur në fshatin Ceceli të Vushtrrisë, Prokuroria tashmë ka nisur hetimet ndaj një burri dhe djalit të tij, nën dyshimet se kanë ushtruar dhunë ndaj vajzës/motrës.
Rasti u zbulua pasi viktima, 16-vjeçare e ka denoncuar në Polici babain dhe vëllain e saj, të cilët dyshohen se e kanë sulmuar fizikisht, për shkak të lidhjes së saj të dashurisë me një person.
Gjithçka dyshohet se ka ndodhur në shtëpinë e tyre, mbrëmjen e së enjtes. Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se e mitura ka deklaruar para hetuesve policorë se është goditur me grushte e shqelma nga babai dhe vëllai, pasi e kanë marrë vesh se ajo ka nisur një lidhje dashurie, për të cilën ata janë kundër.
Si rezultat i denoncimit, Policia ka intervistuar palët e përfshira në rast, ku kanë përshkruar se si ka ndodhur ngjarja në detaje.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që ndaj të dyshuarve të iniciohet rasti për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’, ndërsa viktima është dërguar në strehimore.