Partitë shqiptare kanë nxjerrë një kandidat të përbashkët për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut. Erden Atiqi do t’i prijë këtij koalicioni kundër Listës Serbe. Partitë e tjera opozitare shprehen të gatshme për bashkëpunim edhe në komunat e tjera ku shqiptarët janë pakicë
Partitë shqiptare në veri të Mitrovicës janë bërë bashkë për të garuar në zgjedhjet e 17 tetorit.
Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Aleanca Kosova e Re e VAKAT, kanë nxjerrë Erden Atiqin si kandidat për kryetar të Mitrovicës Veriore.
Atiq thotë se ka kohë që kanë diskutuar për këtë çështje që ka marrë epilog një ditë më parë.
“Jemi pajtuar në ato pikat ku kemi pas dallime konceptuale nëse mund të themi kështu. Bashkëpunimi ka qenë shumë i mirë, me shumë sportivitet edhe ka rezultuar me këtë marrëveshjen që e finalizuam dje”, ka thënë ai.
Atiq ka bërë thirrje që një shembull i tillë të ndiqet edhe nga komunat e tjera ku shqiptarët janë pakicë.
“I inkurajoj të gjithë akterët politikë, të gjitha subjektet politike që të na marrin neve shembull, Komunën e Mitrovicës Veriore, që të bashkohen, të bëhen njëzëri në mënyrë që në procesin zgjedhor të dalim sa më fuqishëm kundër një kundërshtari që e dimë që është Lista Serbe me të gjitha ato politikat përjashtuese. Kështu të forcohen e të bëhen një fuqi sa më e madhe kundër kësaj liste”, ka shtuar ai.
Tutje ai thotë se Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme të vazhdojë bashkëpunimin edhe për komunat e tjera. Derisa Betim Gjoshi i PDK-së thotë që e kanë ofruar mbështetjen e tyre edhe për Graçanicën, Artanën, Shtërpcën e Leposaviqin.
“Po ne kemi ofruar mbështetjen tonë edhe në Graçanicë, Artanë, Shtërpcë e Leposaviq. Çdokund ku ka një gatishmëri të spektrit politik, jemi me bashku votën edhe pse në 2017 në të gjitha këto komuna kemi qenë partia shqiptare me rezultatin më të mirë”, ka deklaruar Gjoshi.
Gjoshi shton se degët e Partisë Demokratike nëpër komuna janë ato që vendosin për përzgjedhjen ose jo të një kandidati të përbashkët me partitë e tjera.
Kompetencat për koalicion me partitë e tjera ua ka lënë degëve të saj edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
“Qëndrimi ynë si Lidhje Demokratike është që këto vendime të merren nga vetë degët, si edhe për shumë çështje të tjera. Pra, nëse degët, kryetarët, udhëheqja, kryesia atje konsiderojnë që një gjë është e rëndësishme, ne si Kryesi qendrore do ta mbështesim atë”, ka deklaruar Shqipe Mjekiqi, nënkryetare e kësaj partie.
Deri më tani është zyrtarizuar vetëm kandidatura e Erden Atiqit për kryetar të Mitrovicës së Veriut, ndërkaq për komunat e tjera me shumicë serbe nuk ka asnjë kandidat.