Xhamia në qendër të Prishtinës, BIK ia sheh sherrin kateve të nëntokës

“Dhurata” e premtuar disa herë për besimtarët myslimanë gjatë Ramazanit, është larg përfundimit. Gurthemeli për Xhaminë Qendrore është vënë para një dekade, punimet kanë filluar para gati dy vjetësh, por prej atëherë s’ka ndonjë të re. Për arsyen e mos avancimit të punimeve në këtë objekt, janë deklaruar nga Komuna e Prishtinës. Nga BIK’u s’janë përgjigjur, ani pse më parë deklaronin se punimet mund të përfundonin në vitin 2023.

Në tetor të këtij viti, bëhen fiks një dekadë nga vënia e gurthemelit për ndërtimin e Xhamisë Qendrore në Prishtinë. Atëherë ishte bërë shumë zhurmë, si për lokacionin e ndërtimit e edhe për stilin.

Kanë kaluar kaq shumë vite nga ajo ditë, e objekti është ende “rrafsh me tokë”.

Përveç disa punimeve të nëndheshme, diçka të vërejtshme te lokacioni s’ka. Për punimet që janë bërë deri tash në këtë objekt dhe afatin e përfundimit, Gazeta ka pyetur Bashkësinë Islame të Kosovës.

Për pyetjen që s’është përgjigjur BIK’u, përgjigjen e ka dhënë Komuna e Prishtinës.

Nga Drejtoria e Urbanizmit së Komunës së Prishtinës i kanë thënë Gazetës Express se Xhamia Qendrore nuk ka leje ndërtimi.

Kanë deklaruar se kërkesa për leje ndërtimi i është pezulluar shkaku se një kërkesë nuk është plotësuar.

“Xhamia Qendrore nuk posedon leje ndërtimi , dhe se kërkesa për leje ndërtimi është pezulluar nga shkaku se kërkesa e vendimit të kushteve ndërtimore për sigurimin e qasjes në rrugën “Isa Boletini” për pjesët e etazheve të nëntokës – bodrumeve (garazhet), qasje përmes parcelës prone e KK Prishtinë nuk është plotësuar”, kanë deklaruar nga Komuna.

Pas pranimit të kërkesës për leje ndërtimore nga BIK’u, thonë se atyre u është lejuar vendosjen e pilotave dhe organizimin e vendpunishteve, por jo edhe zhvillimin e punimeve tjera.

“Sigurimi i qasjes përmes pronës publike duhet të sigurohet përmes procedurës së Kuvendit të Komunës së Prishtinës; Drejtoria e Urbanizmit pas pranimit të kërkesës për leje ndërtimore kontrollimi të dokumentacionit ndërtimore / projektit kryesor, bazuar në Vendimit të Kryetarit të Komunës së Prishtinës për organizimin dhe masat e sigurisë në vend-ndërtim 01 Nr.035 – 174324 dt.12.07.2016  ka lejuar  vetëm vendosjen e pilotave dhe organizimin e vend punishte, por jo edhe zhvillimin e punimeve tjera”, thuhet në përgjigjet e komunës drejtuar gazetës.

Fotografi e realizuar me 31.03.2022, Gazeta Express

Nga BIK’u që tash s’po flasin, para dy vjetësh deklaronin se punimet mund të përfundojnë në vitin e ardhshëm.

Në maj të vitit 2020, Sekretari i përgjithshëm i Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, Ahmet Sadriu, i kishte thënë Gazetës Express se më 15 prill të atij viti, e kishin dorëzuar komplet projektin së bashku me kërkesën për leje ndërtimore.

Shpresonte se do ta merrnin lejen deri në fund të muajit, për të filluar menjëherë me punimet.

“Ne e kemi dorëzuar komplet projektin së bashku me kërkesën për leje ndërtimore me datën 15.04.2020. Ne shpresojmë që deri kah fundi i këtij muaji ta marrim lejen nga Komuna dhe të fillojmë menjëherë me punët”, kishte thënë Sadriu.

Kishte thënë se nëse gjithçka shkon sipas planit, xhamia qendrore do të ishte e gatshme për besimtarët në vitin 2023.

Kostoja e këtij projekti sillet rreth 30 milionë euro dhe do të ndërtohet nga Dijaneti i Turqisë.

“Kjo do të varet nga dinamika e punimeve por afati optimal është tri vjet. Kostoja e projektit parashihet 25 deri 30 milionë euro. Ndërtimin e xhamisë do ta bëjë donatori Dijaneti i Turqisë”, thuhej në përgjigjet e Sadriut për Express.

Diyanet kishte thënë se xhamia do të bazohej në xhaminë e shekullit 16-të Selimiye në Edirne, në pjesën veriperëndimore të Turqisë. Me pak fjalë, xhamia e re e Prishtinës do t’i ngjajë shumë qindra xhamive të ndërtuara në Ballkan gjatë sundimit turk, vetëm se do të jetë shumë më e madhe.

Xhamia qendrore, lokacioni i të cilës është në lagjen “Dardania” afër objektit të Telekomit të Kosovës, ishte bërë temë diskutimi mes Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Komunës së Prishtinës për lëshimin e lejes për fillimin e ndërtimeve.

Ndërtimit të kësaj xhamie i kishin paraprirë një varg protestash nga komuniteti mysliman, të cilit kishin kërkuar që ky objekt kulti të ndërtohet përballë Katedrales “Nënë Tereza” në oborrin e fakultetit Filologjik.

Debate të shumta kishte pasur edhe për projektin e xhamisë. Shumë qytetarë dhe arkitektë kanë kërkuar që të përzgjidhej projekti i arkitektes tashmë të ndjerë, Zaha Hadid.

Plani i Hadid është ndërtimi i një xhamie moderne dhe për mbështetësit e këtij plani, një xhami e tillë do ta kthente Prishtinën dhe këtë xhami në një atraksion për t’u vizituar nga turistët e huaj.

Për ndërtimin e xhamisë në kryeqytet ishin paraqitur 81 projekte.

Fotografi e realizuar me 31.03.2022, Gazeta Express

Çfarë thoshte për projektin e kësaj xhamie kryetari aktual i Prishtinës?

Për projektin e Xhamisë së Madhe ishte deklaruar para dy vitesh edhe Kryetari aktual i Prishtinës, Përparim Rama, i cili me profesion është arkitek.

Një një intervistë për Ndërtimi.info, Rama kishte thënë se vendi ku është vendosur ndërtimi i xhamisë është gabim.

“Pozita është e gabueshme, shumë e gabueshme faktikisht. Për shumë arsye. Së pari në aspektin urbanistik, vendosja është në një rrugë të frekuentuar dhe madhësia që është propozuar për xhami është tepër e madhe për vendin, densiteti i njerëzve që kishin me ardhë aty, kishim me shkaktu kaos për komunikacionin”, kishte thënë Rama.

Ai më kishte sqaruar se pse në aspektin arkitektonik, xhamia në atë vend krijon një ndeshje me një ndërtesë gjithashtu të madhe, Postën e Kosovës.

“Kemi një ndeshje mes Postës, e fortë në aspektin arkitektonik, e madhe dhe ka prezencë. Tash me e vendos një xhami, ku posta e ka prezencën më të fortë, sadoqoftë që xhamia është më e madhe. Kjo është sikur me i fut dy sende në një vend, që po i zënë vendin edhe këtyre tjerave”, kishte thënë Rama.

Sipas tij, nga panika që s’kishin gjetur vend, ishte vendosur që ta ketë lokacionin aty.

“Gjëja kryesore është se nuk ka kurrfarë analize me historinë, kulturën me traditën, me atë se çka do të thotë feja islame për Prishtinën, ku janë ato indet e para, ku ka filluar, qysh lidhemi ne me të kaluarën, si mendojmë për të ardhmen. Dmth janë një numër i madh të elementeve që nuk janë të analizuara. Mendoj që vec dikush prej hezitimit apo panikës  e ka vendosur që të jetë aty”, ka thënë Rama.