Shqiptarja.com publikon ekskluzivisht fotot e presidentit Ilir Meta me dy eksponentë të botë së krimit, Xhevdet Troplinin dhe Altin Hajrin, teksa ndodhen duke festuar e ngritur dolli tek pista “Ventus Harbor” në Durrës në zonën e “Vollgës” që ish-deputeti Lefter Koka ka në pronësi.
Fotot ekskluzive mendohet të jenë bërë në korrik 2017, pas zgjedhjeve parlamentare të 25 qeshorit, ndërkohë që Ilir Meta ishte president i emëruar, dhe mendohet se “sebepi” ishte për të festuar fitoren e Lefter Kokës i dalë deputet nga këto zgjedhje.
Në këtë tryezë miqësore të mbushur me ushqime dhe alkool, presidenti Ilir Meta ka në krah Xhevdet Troplinin, pranë tij edhe Lefter Kokën, ish-ministër i Mjedisit dhe ish-deputet i LSI-së.
Në njërën foto Meta shfaqet duke ngritur dolli teksa në krah ka Xhevdet Troplinin, të akuzuar për trafik ndërkombëtar të drogës dhe subjekt i OFL-së që duhet të justifikojë pasurinë.
Në foton tjetër shfaqet Lefter Koka krah për krah me Altin Hajrin.
Ndërkohë në një foto që ka panoramë të gjithë tryezës, Meta e ka përballë Altin Hajrin dhe në krah të tij, si mikritësin e kësaj tryeze, Xhevdet Troplinin.
Nga pozicioni që janë ulur në tavolinë, duket që organizatori i festës është Xhevdet Troplini, i cili është ulur pikërisht mes Lefter Kokës që ka rastin për të festuar, dhe Ilir Metës, i ftuar si president dhe lideri që drejtoi gjithë fushatën e LSI-së, edhe pse ishte emëruar kryetar shteti. Pra fotoja lë shumë të kuptohet se nuk është një prezencë rastësore e Xhevdet Troplinit në këtë tryezë, ku shfaqet i pozicionuar në mesin e dy personazheve kryesorë të festës.
Altin Hajri është pronari i kompleksit luksoz “Golden” në Shijak, që u kthye në skenën e krimit më të rëndë të ndodhur së fundi në Shqipëri, pengmarrjen dhe vrasjen e Jan Prengës më 17 janar, tashmë i sekuestruar me vendim gjykate. Hajri rezulton i shpallur në kërkim nga policia për pengmarrjen dhe vrasjen e Jan Prengës pas prishjes së pazarave të kokainës nga vëllai i Prengës në Angli dhe bandave që udhëheqin trafikun e drogës nga Shqipëria, mes të cilëve edhe Hajri.