Një sferë misterioze e artë është zbuluar në fundin e oqeanit në brigjet e Paqësorit të Alaskës, duke ndezur debate mes komunitetit shkencor se çfarë mund të jetë.
Objekti, i lëmuar me një vrimë në qendër, u gjet në një thellësi prej rreth 3 kilometrash nga një nëndetëse e telekomanduar dhe sipas studiuesve nga Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike e SHBA (Noaa), të cilët bënë zbulimin, mund të jetë një vezë e çelur ose sfungjer deti.
Studiuesit po kryejnë teste dhe analiza të ADN-së për të kuptuar se cili është objekti me shkëlqim, i cili sipas NOAA duket se është bërë nga “indi i lëkurës”. Përmes një krahu me telekomandë u zbulua se veza kishte një strukturë delikate “si lëkura”, ndërsa u mor për t’u testuar në laborator.
Duke folur drejtpërdrejt më 30 gusht, kur u bë zbulimi, anëtarët e ekipit propozuan teori rreth identitetit të objektit, duke përfshirë nëse ishte një lëvozhgë veze apo një sfungjer. Ata sugjeruan se vrima ishte krijuar nga një krijesë që dilte ose nga një grabitqar.
Në imazhet e marra gjatë zhytjes, objekti kishte një pamje të artë, por kjo i atribuohej reflektimit të fenerëve të nëndetëses. Një foto e objektit të marrë në laborator sugjeron një ngjyrë të verdhë-kafe. Disa lloje, duke përfshirë peshqit e thellë të detit, si peshkaqenët, i vendosin vezët e tyre në fundin e detit, me qëllim që të mos shkatërrohen nga rrymat e oqeanit.