Prek Kodra, është i dyshuari kryesor, sipas dokumentacionit të organeve të rendit, për përgatitje të atentatiteve ndaj kryeministrit Albin Kurti, deputetit Xhavit Haliti, e ish-komandantit Ismet Haxha, vitin e kaluar.
Përgatitja për vënien në jetë të këtij plani, kishte alarmuar Policinë e Kosovës dhe Policinë e Shqipërisë, pasi siç thuhet në raportin e siguruar nga Gazeta Insajderi, me këto vrasje ka pasur për qëllim ndryshimin e madh të skenës politike kosovare.
Por me çka tjetër merret Kodra, i cili është përshkruar në raportin policor edhe si snajperist?
Sipas dokumentit që ka siguruar Gazeta Insajderi, i dyshuari Kodra është pronar i një biznesi që merret me përpunimin e mermerit.
“Ata kanë mundur të identifikojnë emrin e të dyshuarit (Prek Kodra), i cili është pronar i një kompanie në Shkodër “Art Mermer Kodra” dhe një numër telefoni +*****. Ky numër që shfaqet në Viber është në emër të Prek Kodrës. Adresa e tij e emailit është ******”, thuhet më tej në raportin policor që ka sigurura Gazeta Insajderi.
Kodra sipas policisë shqiptare ka të kalauar kriminale.
Kodra, i lindur me 1 maj 1976, sipas raportit policor të siguruar nga Gazeta Insajderi, ka aftësi të mira në përdorimin e snajperëve dhe pushkëve. I njëjti dyshohet se është i përfshirë në disa vrasje në Kosovë dhe Mal të Zi.
“Me shumë mundësi, ai jeton në Shkodër të Shqipërisë dhe operon në tre lokacione: Tropojë (Shqipëri) dhe Ferizaj dhe Deçan në Kosovë”, thuhet në dokument.
Sipas autoriteteve të Policisë Shqiptare, Kodra, është hetuar nga Sektori i Krimit në Shqipëri për vrasje me paramendim dhe mbajtje pa leje të armëve të gjahut.
Ai ishte shpallur në kërkim në vitin 2016, pasi në një kontroll në shtëpinë e tij u gjetën dy armë gjahu dhe 90 fishekë dhe një kontroll shtesë në vitin 2021, u gjetën municione luftarake.
“Në shtator të vitit 2021, urdhri i kontrollit u anulua, por ai konsiderohet një person me rrezikshmëri të lartë”, thuhet më tej në këtë raport.