Zëvendësimi i deputetëve të Listës Serbe, rast për serbët tjerë

Vetëm një ditë pas zyrtarizimit të dorëheqjes së dhjetë deputetëve të Listës Serbe, kanë nisur procedurat për zëvendësimin e tyre në Kuvend.

Presidentja Vjosa Osmani ka dorëzuar kërkesë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të rekomanduar emrat e personave në radhë për plotësimin e vendeve vakante.

Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, ka thënë se Komisioni brenda 5 ditësh do të përgatisë rekomandimin me emra, ashtu siç parashihet me ligj.

“Duke u mbështetur në Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të përgatitë rekomandimin brenda afatit ligjor prej 5 ditësh pune nga momenti i marrjes së kërkesës”, tha Elezi.

Lista Serbe ka gjithsej 10 kandidatë në listë të pritjes për t’u bërë deputetë. Në rast se mbajtja e posteve të deputetëve refuzohet edhe nga ana e tyre, atëherë ky subjekt politik nuk do të ketë kandidatë të tjerë.

Rregullorja e Kuvendit parasheh që në rast se një deputet nuk e bën betimin brenda tri seancava, atëherë e humb të drejtën për mandat.

E Ligji për zgjedhjet e përgjithshme thotë se nëse nuk ka ka kandidatë të tjetër nga ai subjekt politik, kandidat mund të jenë edhe emra nga parti të tjetër që i përkasin komunitetit serb.

Deputetë të Listës Serbe kanë dhënë dorëheqjet, si demonstrim të pakënaqësisë rreth zbatimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës që parasheh masa sanksionuese për ata qytetarë serbë të Kosovës që nuk i konvertojnë targat prej atyre ilegale në RKS.