Lufta në Ukrainë ka hyrë në javën e shtatë. Moska ka fokusuar forcat në lindje dhe jug të Ukrainës dhe luftimet mund të bëhen më brutale në ato zona.
Përmes tërheqjes nga rajoni i Kievit, Moska shpreson të shpëtojë fushatën e saj përmes përqendrimit në Donbas, ku ka luftë prej vitit 2014, pas vendimit të presidentit rus, Vladimir Putin, për të aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë.
Që atëherë, Moska mbështet separatistët që luftojnë në Donbas.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë më 9 prill se “betejë e vështirë” do të zhvillohet në lindje dhe se Rusia është duke mbledhur trupat dhe pajisjet për një ofensivë masive.
Radio Evropa e Lirë ka biseduar me Lawrence Freedman, profesor për studime rreth luftërave në Kolegjin King të Londrës dhe autor i librit “E ardhmja e luftës”, për të kuptuar më shumë se çfarë nënkupton kjo fazë e re e luftës.
Radio Evropa e Lirë: Ne po shohim tani që rusët janë duke e përqendruar fushatën e tyre në lindje dhe jug. A duhet të presim që të shohim që ushtria ruse të përballet me aspektin e furnizimit dhe atë logjistik, sikurse në pjesët tjera të Ukrainës? Si mund të ndryshojë kjo fazë e re e luftës, në krahasim me të parën?
Lawrence Freedman: Rusët nuk duhet të përballen me çështjet e njëjta sikurse në pjesën tjetër të Ukrainës, sepse mund të marrin furnizime nga Rusia përmes enklavave (separatiste) apo përmes Krimesë. Këto distanca nuk janë shumë të mëdha për ta. Megjithatë, për aq kohë sa do të zhvillojnë këtë ofensivë, ata do të përballen me kësi gjëra. Disa besojnë se ata dëshirojnë të rrethojnë një numër të trupave ukrainase në rajonin e Donbasit, mirëpo derisa (Rusia) të zhvillojë ofensivën, mendoj se ata do të kenë probleme të ngjashme cenueshmërie ndaj taktikave që kanë adaptuar ukrainasit, të cilët janë duke sulmuar tanket dhe linjat ruse të furnizimit me armë anti-tanke dhe dronë.
Mirëpo, në momentin që ofensiva ashpërsohet, atëherë bëhet luftë ndryshe. Unë pres më shumë përfshirje të artilerisë, diçka që Kievi shpreson ta sigurojë prej NATO-s. Kjo gjë mund ta rëndojë luftën. Mirëpo, ajo veçse është e rëndë për popullin ukrainas dhe ushtrinë. Nuk duhet nënvlerësuar as humbjet e Ukrainës. Ne nuk dimë për humbjet e saj sa dimë për humbjet e Rusisë dhe kjo gjë mund të kthehet në luftë edhe më brutale në ditët dhe javët në vijim. Besoj se supozimi më i mirë është se jemi në kohën kur Rusia tenton të konsolidojë pozicionin e saj. Nëse dështon që ta bëjë këtë gjë, atëherë ukrainasit do të nisin ofensivë më herët se që është pritur. Sidoqoftë, ne do të shohim ofensivë më të ashpër dhe më të vështirë nga ato që kemi parë më herët.
Radio Evropa e Lirë: A besoni se ato që shihen mundësi mund të çojnë në gabime?
Lawrence Freedman: Ka rrezik, mirëpo deri më tani duhet të themi që komanda e lartë ukrainase ka luajtur shumë mirë. Mendoj se problemi më i madh që do të shohim është diçka që paraqitet në shumicën e luftërave, kur njëra palë duket se ka humbur një betejë të caktuar dhe që gjithmonë duhet mbajtur sytë tek artileria. Gjërat që mund të bëhen me dronë dhe armë anti-tanke kanë sukses, mirëpo në një pikë nevojiten armë më të rënda dhe rusët i kanë ato. Mendoj se ky do të jetë fokusi i luftimeve tani për tani.
Radio Evropa e Lirë: Duke pasur parasysh se Ukraina mund të jetë e mposhtur në atë aspekt, sa vendimtare mund të jenë dërgesat e armëve të Perëndimit në animin e peshores në të mirë të Ukrainës?
Lawrence Freedman: Shtetet e NATO-s nuk janë duke diskutuar shumë për armët që janë duke dërguar – ku dhe kur – mirëpo kanë thënë se e kuptojnë se ekziston nevojë për armë më të rënda.
Po shohim tanke që po nisen nga Republika Çeke dhe Britania me sisteme mbrojtëse, të cilat mund të ndikojnë shumë, pasi mund t’i fundosin anijet e mëdha ruse. Varet nëse ato do të arrijnë atje pa u penguar nga rusët. Kjo gjë e bën diferencën. Lufta, për të cilën po flasim, është shumë kërkuese në aspektin e pajisjeve. Të dyja palët do të kenë nevojë për furnizime gjithë kohën dhe nuk jam i sigurt se si duket situata në anën ruse.
Ne kemi diskutuar për problemet logjistike, në aspektin si të sigurohet arma në front, mirëpo është e qartë se edhe ata kanë mungesa të furnizimeve. Flitet se atyre po u mbarojnë edhe armët precize, dhe kjo është një arsye pse forcat e tyre ajrore nuk ka qenë aq efektive sa është pritur të jenë për të mbështetur ushtrinë. Mungesat kanë ndikim dhe të dyja palët duhet ta kenë këtë gjë parasysh.
Radio Evropa e Lirë: A mendoni se dihet si mund të duket fundi i luftës për Kremlinin, marrë parasysh se zyrtarë amerikanë të inteligjencës kanë thënë se Putini dëshiron të arrijë sukses për ta shitur atë në paradën për Ditën e Fitores më 9 maj?
Lawrence Freedman: Mendoj se nëse nuk ndodh diçka deri më 9 maj, do të ishte turpëruese për Putinin, mirëpo nuk mendoj se kjo do të jetë vendimtare. Sido që të jetë situata, ata do të përballen, mirëpo (9 Maji) është faktor në kalkulimet e tyre. Nëse rusët shpallin ndonjë lloj armëpushimi, ukrainasit mund ta pranojnë atë për një kohë, mirëpo ata nuk duhet t’i ndalin përgatitjet e tyre ushtarake. Sinqerisht, është e vështirë të kuptohet se çfarë duan rusët. Donjeckun dhe Luhanskun në kufijtë e tyre klasikë? Po, mendoj se mund të jetë kështu. Diçka që shtrihet nga Harkivi në Odesa? Mendoj se mund t’iu ketë pëlqyer ideja, mirëpo është diçka jashtëzakonisht e vështirë për t’u arritur.
Unë gjithmonë kam menduar se çfarë mendon të bëjë Kremlini me këtë territor tani? Ata e kanë sulmuar dhe dëmtuar atë, ata kanë vrarë civilët dhe çfarëdo supozimi që mund të ketë pasur se ato janë pjesë rusofile të Ukrainës, kjo gjë nuk qëndron më. Ka sugjerime se Putini po synon të marrë kontrollin e infrastrukturës dhe civilëve, sa më shumë që është e mundur, sipas parimit që nëse ai nuk mund ta ketë Ukrainën, as ukrainasit nuk mund ta kenë atë. Ky është sqarimi i vetëm që më vjen në vend, sepse në të kundërtën mënyra si po zhvillohet kjo luftë është në kundërshtim me ato që Kremlini i konsideron si objektiva.