Një nga senatorët republikanë, Mitt Romney, deklaroi se do të votojë pro akuzave të ngritura ndaj Donald Trump me qëllim shkarkimin e tij ndërsa momenti i votimit përfundimtar në gjyqin kundër Presidentit po afron.
Deri përpara kësaj deklarate, asnjë prej 53 senatorëve republikanë nuk kishte dhënë ndonjë sinjal se do të votonte kundër Presidentit Trump, për shkarkimin e të cilit nevojiten votat e dy të tretës së anëtarëve të Senatit me 100 vende. Por edhe pas deklaratës së zotit Romney shanset për ta shkarkuar Trumpin duken të pakta dhe pritet që shumica republikane që e kontrollon Senatin ta shpallë presidentin të pafajshëm nga akuzat e ngritura prej demokratëve të Dhomës së Përfaqësuesve për abuzim me detyrën dhe pengim të hetimeve të Kongresit.
Anëtarët e Senatit do të mblidhen për votim të mërkurën pasdite, pas një procesi gjyqësor dy-javor.
Asnjë nga 47 demokratët nuk ka dhënë shenja se do të votojë në një linjë me republikanët për ta liruar presidentin nga akuzat.
Gjatë fjalimit të tij vjetor mbi situatën e vendit që u mbajt të martën në mbrëmje Presidenti nuk e përmendi procesin për shkarkimin e tij. Por ai e ka kritikuar në mënyrë të vazhduar duke e cilësuar si “gjueti shtrigash”, e duke theksuar se nuk ka kryer asnjë shkelje.
Akuza për abuzim me detyrën ka të bëjë me nxitjen e autoriteteve në Kiev që të nisin hetimet ndaj ish-nënpresidentit Joe Biden dhe djalit të tij Hunter Biden, në mënyrë që të fillonte dërgimi i një ndihmë ushtarake prej 391 milionë dollarësh për Ukrainën.
Presidenti Trump akuzohet gjithashtu se ka penguar hetimet që po kryente Kongresi rreth marrëdhënieve të tij me Ukrainën duke mos i lejuar zyrtarët e administratës së tij që të dorëzonin dokumente e dëshmi për komisionet e Dhomës së Përfaqësuesve.
“Administrata, zyrtarët kryesorë të saj dhe republikanët e Senatit po fshehin të vërtetën”, tha senatori Chuck Schumer. “Akuzat janë jashtëzakonisht të rënda. Ndërhyrja në zgjedhje, shantazhimi i një vend të huaj për të ndërhyrë në zgjedhjet tona, këto cenojnë thelbin e demokracisë sonë”, tha ai.
Udhëheqësi i shumicës në Senat Mitch McConnell, i cili luajti rol kyç në zhvillimin e një procesi të shkurtuar gjykimi, duke mos lejuar thirrjen e dëshmitarëve, tha se akuzat ndaj presidentit Trump “nuk përbëjnë aspak një çështje që mund të çonte në largimin e parë nga detyra të një presidenti në historinë amerikane”.