ZRRE-ja i “fsheh” efektet e liberalizimit të tregut në tarifat e energjisë

Zyra e Rregullatorit të Energjisë nuk ka sqaruar se si do të ndikojë liberalizimi i tregut të energjisë me daljen në treg të hapur të konsumatorëve me mbi 10 milionë euro qarkullim në vit ose me mbi 50 punëtorë. Nga INDEP kanë kërkuar sqarime mbi këtë çështje. E njohës të fushës së energjisë e quajnë selektive qasjen e ZRRE-së

Zyra e Rregullatorit të Energjisë nuk ka sqaruar se si do të ndikojë në tarifat e energjisë dalja në treg të hapur e konsumatorëve me mbi 10 milionë euro qarkullim ose me mbi 50 punëtorë.

Ani se ky institucion ka paraparë zbatimin e vendimit për liberalizim nga 1 qershori, në raportet konsultative mbi procesin e shqyrtimit të tarifave, trajtimi i kësaj çështjeje është bërë në mënyrë sipërfaqësore, duke u shpjeguar procedurat, por jo edhe efektet.

Sipas Institutit për Politika Zhvillimore, koha e shpalljes së vendimit nga ZRRE-ja ngre dyshime mbi transparencën dhe qëllimin e këtij hapi, pasi nuk është ofruar analizë e qartë mbi ndikimin që largimi i këtyre konsumatorëve do të ketë mbi tarifat e konsumatorëve të mbetur.

“Në dokumentet e konsultimit mungon sqarimi i plotë mbi ndikimin e konsumatorëve që do të kalojnë në treg të lirë – konkretisht, sa do të ndikonte në rritjen e tarifave për konsumatorët e mbetur në shërbimin universal ky kalim dhe sa realisht po ndikojnë këta konsumatorë aktualisht në strukturën tarifore ekzistuese. Pavarësisht rëndësisë së liberalizimit për konkurrencën dhe zhvillimin e tregut, mënyra se si ky proces është menaxhuar nga ZRrE-ja, me shtyrje dhe paqartësi të vazhdueshme, cenon rëndë besimin e konsumatorëve dhe aftësinë e tregut për t’u përshtatur në mënyrë efektive dhe të qëndrueshme”, thuhet në reagimin e INDEP-it.

Sqarime për këtë INDEP ka kërkuar nga ZRRE-ja në komentet e dorëzuara për procesin tarifor, në të cilin është propozuar rritja e çmimit të energjisë prej 15 për qind.

E Adhurim Haxhimusa, njohës i fushës së energjisë tha se ZRRE-ja nuk ka marrë parasysh efektin e liberalizimit të tregut të energjisë, i cili sipas tij do të ketë efekt të madh në koston e furnizimit me energji tek amvisëritë.

“Përderisa dalja e bizneseve të mëdha me mbi 10 milionë qarkullim ose mbi 50 punëtorë do të duhej ta shkarkonte kërkesën për energji elektrike tek KEK-u, për shkak se gjithë energjia elektrike që konsumohet nga amvisëritë do të konsumohet nga KEK-u, faktikisht amvisëritë do të konsumojnë vetëm energji elektrike vendore apo nga KEK-u me çmim më të ulët. Do të duhej të inkorporohej një efekt i tillë në tarifat e energjisë elektrike, mirëpo kjo nuk vërehet se është bërë këtu, prandaj edhe këtu vërehet se kemi një qasje selektive nga ana e ZRRE-së në politikat që i bën”, ka thënë Haxhimusa.

Ai është shprehur skeptik edhe sa i përket stabilitetit energjetik që do t’u ofrohet konsumatorëve që dalin në treg të hapur.

“Edhe pse këto biznese janë duke dalë në tregun e hapur garancioni se mund të kenë furnizim stabil të energjisë elektrike nuk mund të ofrohet nga as nga ZRRE-ja, as nga KESCO e as nga KOSTT për shkak se ne kemi fyte të ngushta në sistemin elektroenergjetik si në transmision si në distribucion dhe kur vijnë fytet e ngushtë ajo nuk e zgjedh konsumatorin se ku e ka marr energji elektrike faktikisht ndërpritet energjia elektrike në komplet atë rajon – i përfshinë edhe ato biznese që janë të lidhura në atë trafo”, ka theksuar ai.

Nga 1 qershori, të gjitha kompanitë me mbi 50 punëtorë ose me qarkullim mbi 10 milionë euro, do të duhet t’i zgjedhin vetë furnizuesit me energji elektrike. Kjo është kundërshtuar nga bizneset, të cilat kanë kërkuar edhe një shtyrje të këtij afati, pasi siç kanë thënë, nuk janë ende të gatshme.