Zëvendësministri Arbër Vokrri që u shkarkua nga detyra të premten pas akuzës se ndërkombëtarët kishin nxitur trazirat në veri, edhe më parë ishte i njohur për deklarata tronditëse dhe shumë skandaloze.
Vokrri kishte komentuar edhe prejardhjen e heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti -Skënderbeu.
Një vit më parë kishte thënë se familja Kastrioti ishte “pravosllave”. Vokrri ishte anëtar i kamotshëm i Vetëvendosjes teksa shtrembërimin e historisë që po e bënte ai, e kishe toleruar shefi i tij Albin Kurti që pranonte deformimin e historisë kombëtare.
Tutje, në një koment në rrjetin social Facebook, ai ka shkruar se familja Kastrioti është varrosur në manastirin më të shenjtë serb.
“Ky sultan gjysmëshqiptar e mundi perandorin gjysmëserb të Bizantit (ai u vra), dhe dihet se ishte në luftë kundër pjesës pravosllave të familjes Kastrioti, sikurse edhe i ati i tij. Megjithatë këta sulltanë nuk i kishin ngucur Kastriotët pravosllavë kur këta u bënë edhe murgj në manastirin më të shenjtë serb, aty ku edhe janë varrosë”, kishte shkruar Vokrri.
I shkarkuari Vokrri gjithashtu ishte marrë edhe me religjionin.
Teksa ishte i ftuar për një iftar te Shefqet Krasniqi, imam i njohur për deklarata politikisht jo të sakta, Vokrri kishte thënë se shqiptarët janë pjesë e misionit për ta përhapur islamin drejt Perëndimit.
“Si besimtarë në këtë shoqëri në të cilën jetojmë, kemi potencial të hatashëm,” – tha në nisje të shpalosjes së ambicieve të tij fetare ai.
“Ne (etnia jonë) jemi produkt i kombinimit të së paku dy qytetërimeve. Por kulturalisht – elhamdulilah – qe ma shumë se gjashtë shekuj jemi në ndikim të fuqishëm të qytetërimit islam. Dhe mundemi me thanë që jemi me siguri populli i vetëm me naj signifikancë politike që mundemi mu krenu se jemi produkt i prirjes së islamit për me u përhapë kah perëndimi. Sepse një prej misioneve është që fjalën e Allahut ta çojë në çdo shtëpi dhe të jetë pishtar i qytetërimit njerëzor…” – tha ai.