Qeveria zvicerane ka vendosur t’i largojë shumicën e masave anti-COVID duke filluar nga 17 shkurti, marrë parasysh se numri i lartë i infeksioneve me variantin Omicron nuk ka çuar në rritjen e hospitalizimeve.
“Zvicra po merr një hap të rëndësishëm drejt normalitetit”, ka thënë Ignazio Cassis, i cili udhëheq presidencës e radhës zvicerane këtë vit, kanë raportuar mediat në Bern të mërkurën.
Sipas vendimit të ri, nga e enjtja, njerëzit në Zvicër nuk do të kenë nevojë të kenë certifikatën e COVID-it për të hyrë në lokale apo restorante e po ashtu në vendet e tjera të brendshme siç janë, teatrot, sallat e sportit dhe sallat e koncerteve. Deri më tani, certifikata e COVID-19 është mbajtur për të dëshmuar se personi i caktuar është i vaksinuar, ka rezultuar negativ për koronavirus apo se është shëruar nga virusi.
Ndërkohë, edhe autoritetet nuk do të kenë nevojë të lëshojnë certifikata të COVID-19, të pranura nga Bashkimi Evropian për banorët rezidentë të Zvicrës, të cilët duan të udhëtojnë.
Qeveria njoftoi gjithashtu se nuk do të ketë më kufizime të mëtejshme në madhësinë e tubimeve private në Zvicër, ndërsa ngjarjet e mëdha nuk do të duhej më të aplikonin për autorizime.
Maskat nuk do të jenë më të detyrueshme në shkolla, dyqane, salla koncertesh apo në punë. Por ato do të mbeten të detyrueshme deri në fund të marsit në transportin publik dhe në objektet e kujdesit shëndetësor. Qeveria ka mbajtur gjithashtu një kërkesë që njerëzit që rezultojnë pozitivë për COVID-19 të shkojnë në izolim për pesë ditë.
Këto dy masa të mbetura kanë për qëllim mbrojtjen e më të cenuarve, ka bërë të ditur Qeveria. Por nëse situata e virusit përmirësohet, ato mund të hiqen para fundit të marsit.
Vendimi i së mërkurës vjen pas konsultimeve me kantonet, parlamentin dhe organizatat përkatëse, të cilat të gjitha mbështetën heqjen e menjëhershme të kufizimeve duke mbajtur kërkesën për maska për rrethana të veçanta. Kantonet kanë ende mundësinë për të vendosur masa më të rrepta nëse është e nevojshme.
Qeveria zvicerane kishte vendosur kufizime të rrepta COVID-19 nga tetori i vitit 2021 pas një rritjeje të rasteve të variantit më ngjitës Omicron, por që atëherë i ka lehtësuar ato në mënyrë të vazhdueshme.
Zvicra ndjek disa vende të tjera evropiane, si Danimarka, Franca dhe Holanda, të cilat i kanë hequr gradualisht masat për COVID-in në javët e fundit.