Në 100 ditët e para të Qeverisë Kurti, 49 prej të cilave ishte në detyrë, janë nxjerr 125 vendime.
Bazuar në hulumtimin e vendimeve të marra, 23 prej tyre ose 18.4 për qind kanë të bëjnë me pandeminë COVID-19, ndërkohë që 102 ose 81.6 për qind kanë të bëjnë me çështje tjera.
Numri më i madh i vendimeve është marrë me propozim të ministrave që vijnë nga VV-ja, gjithsej 115 përfshirë Zyrën e Kryeministrit, ndërkohë me propozim të ministrave të LDK-së janë marrë 9 vendime. Nga radhët e komuniteteve joshumicë vetëm Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, ka kontribuar me një propozim.
Në dokumentet që ka verifikuar KOHA, më së shumti inicime për vendime ka pasur nga Ministria e Financave dhe Transfereve, 39 që kryesisht ndërlidhen me Pakon Emergjente shkaku i pandemisë COVID-19. Më pas vjen Zyra e Kryeministrit me 26 propozime e pasuar nga Ministria e Shëndetësisë me 11. Propozimet e ministrive tjera veç e veç nuk janë dyshifrore.
Janë edhe katër ministri pa asnjë propozim, ndërkohë dy të tjera me nga një.
Qeveria Kurti është në detyrë, pasi në ditën e saj të 51-të u rrëzua me mocion mosbesimi, më 25 mars.
Kryeministri në detyrë Kurti, në mbledhjen për 100 ditët e menaxhimit të tij, lavdëroi të gjithë ministrat për punën e bërë.
Iniciuesit e vendimeve:
- Ministria e Financave dhe Transfereve: 39 propozime
- Zyra e Kryeministrit: 26 propozime
- Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike: 20 propozime
- Ministria e Shëndetësisë: 11 propozime
- Ministria e Drejtësisë: 8 propozime
- Ministria e Integrimeve Evropiane: 5 propozime
- Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit:: 4 propozime
- Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit: 4 propozime
- Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike: 3 propozime
- Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës: 3 propozime
- Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal: 1 propozim
- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit: 1 propozim
- Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural: asnjë
- Ministria e Mbrojtjes: asnjë
- Ministria e Zhvillimit Rajonal: asnjë
- Ministria për Kthim dhe Komunitete: asnjë