20 persona nga Afganistani, të cilët kishin një javë që qëndronin në Tiranë, janë mashtruar nga një taksist, të cilit i kërkuan t’i çonte në Shkodër, por duke shfrytëzuar faktin që nuk e njohin vendin tonë, taksisti i ka çuar në Novoselë në autostradën Fier-Vlorë. Për këtë udhëtim taksisti u ka marrë 700 euro.
“Kemi paguar lekët, dhe tani nuk kam qumësht për fëmijën, është shumë e vështirë për mua. Këpucët i kemi të lagura, bie shi, jemi me fëmijë”, thotë një grua me foshnjën e saj e mbetur në mes të katër rrugëve.
“700 euro kemi paguar. Kemi ardhur për një jetë më të mirë. Unë jam 19 vjec, më quajnë Melika jam e vetme, pa familjen time. Jam e frikësuar këtu. Nëna më mbeti në Iran, babai dhe vëllai janë në Greqi. Nuk kemi për të ngrënë”, thotë një vajzë 19-vjeçare, teksa e pyetur përse u nda me familjen, përlotet dhe thotë: Për një jetë më të mirë.
“Jam nga Afganistani. Jemi rreth 20 veta, 4 janë fëmijë. Kemi një javë në Tiranë. Ne do të shkonim në Shkodër. Shoferi i taksisë na kërkoi 700 euro për në Shkodër. Tani jemi këtu, dhe nuk e dimë ku do të shkojmë. Ne duam të ikim në Bosnje, Serbi, Itali, Gjermani, ku të jetë. Në vendin tonë luftohet, ka luftë, ishim të pasigurt. Jam këtu me gjithë familjen time, fëmijët, gruan, motrën”, tha një person nga Afganistani.
Afganët janë dërguar në komisariat ndërsa si destinacion final kanë pasur një nga vendet e Bashkimit Europian. Ndërsa nuk dihet sesi kanë arritur që të futen në territorin shqiptar.