Shpëtohet nënë Nazja 85 vjeçe e braktisur nga 4 fëmijët në Elbasan.
Pas historisë së trishtë shqiptarët zemërmirë që reaguan duke shprehur keqardhje për gjendjen në të cilën është lënë e moshuara si nga fëmijët që rriti ashtu dhe nga institucionet.
Elda Betaj, drejtuese e rezidencës për të moshuarit “Shtëpia në Kodër” e ndodhur në Ibë, ka marrë përsipër të strehojë në qendrën e saj nënë Nazen.
Zonja Betaj ka marrë përsipër jo vetëm strehimin e 85-vjeçares në “Shtëpinë në Kodër” por edhe trajtimin e saj shëndetësor, ushqyerjen e saj, dhe një dhomë të ngrohtë për nënën që ka kaluar 20 vite e vetmuar në mes të shiut, të ftohtit, pa energji elektrike, e lënë e braktisur në një gërmadhë nga e cila përmes mikrofonit të Report Tv kërkoi të largohet një herë e më parë. Nënë Nazja nuk kërkon shumë. Ajo ka mall për njerëz. Dëshiron të jetë mes moshatarëve të saj për të shkëmbyer një bisedë.
Frika e nënë Nazes se trarët e shtëpisë gërmadhë mund ta zënë poshtë, do të marrë fund. Dhe Report Tv do e paraqesë të gjithë procesin e shpëtimit të saj hap pas hapi.
Report Tv kontaktoi edhe me Bashkinë e Elbasanit, e cila na tha se ka menduar një zgjidhje të përkohshme për ta strehuar të moshuarën në një qendër të moshuarit në “Balashe” në Elbasan. Por nënë Nazja ka nevojë të kalojë e qetë pleqërinë, ndaj zgjidhja e përhershme do t’i mundësohet në “Shtëpinë në Kodër”.
Bashkia premtoi se do ti vijë në ndihmë të moshuarës me gjithçka të nevojshme, për të mos pasur pengesa në strehimin e saj në rezidencën e zonjës Elda Betaj.
Shqiptarët dhe fondacionet që i janë adresuar redaksisë sonë për të ndihmuar nënë Nazen janë të pafundmë, dhe Report Tv do të komunikojë me të gjithë, për të çuar deri në fund ndihmat që ata kanë shprehur. Por kjo do të jetë në një hap të dytë, pasi e moshuara që na preku të gjithëve, të jetë strehuar në qendër.
Qendra ‘Shtëpia në Kodër’ në ndihmë të nënë Nazes
Pas historisë së trishtë të nënë Nazes, e cila jeton e vetme në fshatin e largët Muçan të Elbasanit, e braktisur nga 4 fëmijët jetimë të burrit të dytë, Report Tv arriti të mundësojë zgjidhjen për 85-vjeçaren.
Elda Betaj, drejtuese e rezidencës për të moshuarit “Shtëpia në Kodër” e ndodhur në Tiranë tha se rastin e nëën Nazes e zbuloi rastësisht teksa gjatë transmetimit të historisë së saj në Report Tv.
“Rastësisht në mbrëmje pash në televizionin tuaj rastin e nënë Nazes, menjëherë telefonova në orët e vona të natës për të dhënë ndihmën time të parë, pa pasur parasysh dhe pa dëgjuar mirë të gjithë historinë e saj, vendosa të marr përsipër rastin dhe të ndihmoj nenën Naze. Unë jam administratore e një rezidence të moshuarish “Shtëpia në Kodër’ dhe pikërisht ne këtë lloj shërbimi ofrojmë. Ne ndihmojmë njerëzit e moshuar që i kanë fëmijët jashtë, por edhe ata që jetojnë në Shqipëri po nuk kanë kohë të qëndrojnë 24 orë pranë tyre. Rasti i zonjës Naze, ishte ndryshe pasi ajo nuk ka asnjë njeri sot dhe menduam ta ndihmojmë.”-tha Betaj.Report tv