Pagesa për nëpunës civilë, të cilët marrin paga pa shkuar në punë, është bërë çështje diskutimi sërish në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave.
Sipas të dhënave të Auditorit të përgjithshëm janë rreth 211 punonjës në shtat ministri.
Deputetja e LVV-së, Mirlinda Sadiku, ka pyetur se çfarë ka bërë Ministria e Financave lidhur me këta punëtorë.
“Ne e dimë që kjo buron nga marrëveshja e Brukselit, por ne si Komision kemi dhënë raport për disa ministri të jepet një raport se faktikisht kjo është pabarazi ndaj atyre punëtorëve që punojnë në ato institucione se faktikisht kjo është pabarazi ndaj tyre”, ka thënë ajo.
Por ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka thënë se këtë problem nuk mund ta bëjë Ministria e Financave dhe se më shumë kjo çështje është problem politik.
“Prapë mendojë se ky është një problem politik. Nëse nuk është problem politik dhe nuk e ka Vetëvendosja ja ku e kemi drejtorin e Thesarit, drejtorin e Buxhetit, ministrin dhe pyeti nëse janë duke u paguar dhe unë jam shumë e sigurt se janë duke u paguar”, ka thënë Bajrami.
Ndërprerjen e këtyre llojeve të pagesave e ka kërkuar edhe deputeti Eman Rrahmani.
Drejtori i Thesarit, Ahmet Ismaili, ka thënë se aspektin e pagesës së nëpunësve civilë që nuk shkojnë në punë nuk e sheh aspak si problem politik.
Ndërsa ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se kanë marrë masa në këtë drejtim.
“Neve ministritë tjera na tregojnë se kush është duke punuar dhe kush nuk është duke punuar sa i përket asaj se a ka mundësi me u marr veprime të tilla, a janë politike apo jo ne vetëm kemi marrë veprime të tilla sa i përket zbatimit të ligjshmërisë”, ka thënë Murati.
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, gjatë shpalosjes së raportit financiar për 2020 ka thënë se ka rritje të borxhit publik për 300 milionë euro dhe se tani ka arritur shifra në 1.5 miliardë.