Viti 1898: Ashikllëku në Gjakovë

Në familjen e Salih agë gjakovalisë u rrit një djalë i mrekullueshëm, Daut efendia. Edhe pse i ka vetëm gjashtëmbëdhjetë vjeç ai tashmë është deli i vërtetë. Daut efendia mban të veshur tirq zhguni dhe një shokë të gjerë të mbështjellë rreth belit katërmbëdhjetë herë; këmishën e ka prej mëndafshi të verdhë dhe jeleku i tij është i zbukuruar me ar; në brez e ka ngjeshur alltipatllakun (revole gjashtare) e zbukuruar me argjend; përveç që në të qëndrojnë njëqind e tetëdhjetë drahma argjendi, mbi janë të vendosura edhe shtatë merxhane. Daut efendia në kokë e mban plisin e bardhë që e ka lëshuar poshtë mbi vetullën e majtë. Sytë e zinj nën vetulla, i duken të zemëruar si të eshkive

Akshami kaloi, nëpër sokakë nuk ka njeri, kapixhikët janë forcuar, ndërsa kapakët janë lëshuar mbi penxhere. Në cep të mëhallës sonë, feneri i beledisë shkëlqen. Përmes në errësirën që e ka mbuluar kasabanë, minaret ngrihen lart si hije; çatitë blu të shtëpive janë shtrirë si errësira, ndërsa kulla e vjetër e sahatit ngjitet mbi arat e kryqëzuara si një rojë ëndërrimtare. Prej çarshie dëgjohet zhurma kur kalldrëmin e godet roja e natës me çomangën e madhe dhe nga bezistani i mbuluar të goditurat jehojnë sikur ato të ishin goditje në ndonjë lagunë të thellë. Herë pas here dëgjohet zhurma e përroit të turbullt, që i lag sokakët e Mëhallës së Poshtme apo ndonjë zë i pazakontë nga Mëhalla Rome, ose ulërimë e ndonjë qeni që ka ngelur përjashta, prandaj i lutet të Zotit që t’ia hapë kapixhikun. Fryn një erë e butë; kurorat e gjetheve në lisa lëkunden, ndërsa prej bahçeve shpërndahet një aromë e këndshme.

Dhe përmes gjithë kësaj heshtjeje, të butë si një zë kumrie, i ëmbël si kënga e bylbylit dhe i ndjeshëm si nata e ndritshme, si dita e re prej një bahçeje që ndodhet thellë, çdo mbrëmje shpërndahet zëri i gërnetës, mu prej atje ku ndodhen një varg shtëpish të ulëta me bahçet e tyre të gjera dhe herë pas here duket sikur shushurijnë gjethet; sikur lulet lëshojnë aromë dhe duket sikur që shpirti është duke gulçuar… Tingujt e saj përdredhohen, përdredhohen dhe të pushtojnë, më pastaj të qetësojnë, të qetësojnë dhe të vënë në gjumë. Prapë të pushtojnë, dhe të ngrenë lart, duke të bërë të ndihesh se yjet i ke afër dhe për të arritur në qiell të duhet vetëm edhe një hap… pastaj ata tinguj të ulin e të zbresin në tokë, të ulin në barin e gjelbër, mbi lulet shumëngjyrëshe, mbi dyshekët e butë, mbi gjokset e vajzave të reja… tingujt e gërnetës, herë ta këpusin shpirtin e herë ta lyejnë atë me melheme; herë t’i thajnë buzët, herë ta thajnë fytin e herë pas here i lagin ato me një sherbet të butë…
Oh, kështu mund të flasë vetëm sevdahu.

*

Në familjen e Salih agë gjakovalisë u rrit një djalë i mrekullueshëm, Daut efendia. Edhe pse i ka vetëm gjashtëmbëdhjetë vjet ai tashmë është deli i vërtetë. Daut efendia mban të veshur tirq zhguni dhe një shokë të gjerë të mbështjellë rreth belit katërmbëdhjetë herë; këmishën e ka prej mëndafshi të verdhë dhe jeleku i tij është i zbukuruar me ar; në brez e ka ngjeshur alltipatllakun (revole gjashtare) e zbukuruar me argjend; përveç që në të qëndrojnë njëqind e tetëdhjetë drahma argjendi, mbi janë të vendosura edhe shtatë merxhane. Daut efendia në kokë e mban plisin e bardhë që e ka lëshuar poshtë mbi vetullën e majtë. Sytë e zinj nën vetulla, i duken të zemëruar si të eshkive.

Fytyra e tij është e pastër si e vashave të reja, dhe ai akoma nuk është nxirë mbi buzë. Kur e ftonin në ndonjë dasmë për të kalëruar, gjogut të Sali agës ia hidhnin shalën e qëndisur, dyzginët e kuqe prej gajtani, dhe derisa gjogu me krenari e lëvizte kokën, zbukurimet në dyzgjina i luanin dhe nuk vononte shumë kur atij i vërehej shkuma herë mbi kokë e herë nën gjoks. Dyqanxhinjtë i lenin në skaj çibukët e tyre; terzinjtë i ngulnin gjilpërat në gjunjë, zhguntarët e ndërprisnin gajtanin, kështu çdokush kthehej për të parë Dautin. Kali i tij nuk ecte, por lozte; nuk e merr dot me mend se me cilën këmbë ai zbret në tokë dhe kalon prej një qepeni në tjetrin, prej një ulluku në tjetrin, ndërsa duket se kalldrëmi copëtohet e shtypet nën thundrat e tij.

Kur Salih aga është ulur në kafe tek Ali baba, aty ka edhe mysafirë të tjerë, ndërsa Dauti kalon çarshisë, atëherë ai me krenari sheh rreth e për qark minderit: duke vjedhur me bisht të syrit se a e shohin të gjithë se çfarë sokoli është biri i tij.

– Mashallah! – i thotë Fejzullah argjendari.
– Djalë si ky nuk ka as sulltani!

Dhe Sali aga i ledhaton mustaqet, duke pritur që dikush të shtojë diçka në fjalët e fundit.

*

Latif aga është shumë i pasur. Është zengjin sa katër burra tjerë në çarshi. Ai i ka katër çifligje dhe secilën kullë e ka të ndërtuar me gurë; në çarshi i ka tre magaze dhe qiraja aty i bie të ardhura sa një çiflig, ndërsa për shtëpinë, bahçen dhe për të mira tjera as mos pyet. Më pastaj ai ka kuaj, ka bagëti, hambarët e tij janë të mbushur plot dhe ai ka gjithçka ashtu çfarë mund të ketë një zengjin. Por prej të gjitha thesareve, më së shumti vlen e bija e tij e vetme Zyflia.

Sapo lëshoi shtat ajo u mbulua. Por edhe koha ishte që ajo të mbulohej: sikur të ndodhte që ajo të shkonte e pambuluar edhe një kohë, atëherë sytë e saj do të krijonin jangi te ata që do ta shikonin dhe në çarshi nuk do t’i shihej fundi sevdahut dhe vuajtjeve. Fytyra e saj është e bardhë dhe e kuqërremtë, si gjethi i zambakut të bardhë të zbukuruar me merxhan; buzët e saj janë të vogla dhe të kuqërremta si lulja e gonxhes atëherë kur pëlcet; sytë e saj janë, sikur djalli i mallkuar të ketë fryrë në ta zjarrin e Sakarit, zjarrin e ferrit, i cili djeg gjithçka dhe ky zjarr e djeg edhe mishin e njeriut. Flokët e saj janë të bukura, si mëndafshi i butë dhe me fijet e tyre Iblisi do të mund të thurte rrjetën më të fortë dhe më këtë t’i fuste në kurth të gjithë besimtarët e vërtetë. Ndërsa balli, krenar dhe i lartë, është si një fletë e Librit, mbi të cilët profeti do të kishte shkruar atë ajetin e tij, që na përsëritet disa herë, duke na pyetur gjithmonë: “A na lejohet ta mohojmë ndonjë vepër të mirë të Allahut?”

Zylfija është rritur ashtu siç rritet dhe kultivohet lulja fisnike në saksi. Ajo strehohet që vapa e madhe të mos e thajë; që shiu i madh të mos e lagë; ujitet dhe ruhet në penxhere; ngrohet pranë shporetit dhe mbulohet me xham. Ju nuk mund ta dini se kush është kujdesur dhe e ka përkëdhelur atë më shumë; Latif aga apo hanëmeja. Ajo është bija e vetme dhe nuk kam nevojë t’ju them më tepër.
Aty pranë Latif agës, jeton nëpunësi Salim efendia. Mes shtëpive është një kapixhik dhe gratë gjithnjë janë te njëra-tjetra. Komshikja, Sad’k hanëmeja sa herë që vjen e përkëdhel Zyflien, e përqafon, e puth dhe betohet në Allahun se ajo nuk do të pendohej kurrë nëse Zylfija do të ishte djalë.

Një mbrëmje pas darkës, në çardak e Latif agës, u ulën e ëma e Zylfijes, Sad’k hanëmeja dhe Zylfija.
Hëna ishte e plotë. Ajo lëvizte ngadalë dhe pothuajse kishte zbritur mbi minaret dhe
çatitë. Sad’k hanume e kapi për dore Zyflijen dhe i tha:

– Eh, u bëre vajzë, u mbulove; dhe tani athua zemra jote nuk kërkon asgjë, për të thënë?
– Çfarë të thotë? – parapriu e ëma e Zyflisë.
– A nuk e sheh se hëna është e plotë? – tha Sad’k hanëmeja.
– Për  Zotin lërë t’i fëmijën e mos ia mbush kokën me çkamos!
– Do ta bëj këtë kështu Sad’k hanëme – unë sonte edhe ashtu maksuz kam ardhur; pse mos ta shohim kësmetin. Dhe deri tani ti nuk e ke parë derisa ishe vajzë? Më thuaj ti këzën a dëshiron ta shohësh kësmetin? – u kthye ajo kah Zylfija.
– Po, u përgjigj Zyfija duke e parë drejt në sy të ëmën.
Në ndërkohë, Sad’k hanëmeja vrapoi në dhomë dhe e solli pasqyrën e bilurit; e çoi Zyflinë në mes të bahçes aty ku është një hapësirë më e madhe dhe ku pemët nuk e pengojnë hënën, ia dha asaj pasqyrën në duar, duke e vendosur ashtu që hëna e plotë të reflektohej në pasqyrë, dhe në fund e porositi:
– Zyflije, zemër, shiko tani në atë pasqyrë; mendo për të përzgjedhurin tënd; pasi po kërkon ta shohësh atë; përpiqu që ta shohësh dhe mos e dorëzo duke parë në pasqyrë për gjysmë ore, një, dy orë apo deri sa të shohësh fytyrën e një djaloshi, fytyrën e të përzgjedhurit tënd, dhe të paktën ta dish se për cilin jeni e shkruar.
Zyflija veproi ashtu ndërsa e ëma, bëhej sikur një veprim i tillë është jo me vend por ja që edhe ajo do të donte të njihte të përzgjedhurin e së bijës.
Zyflija i nguli sytë në pasqyrë, në të cilën pasqyrohej hëna e plotë, ndërsa Sad’k hanëmeja i qëndronte prapa shpine duke ia recituar disa ajete nga Kur’ani. Me atë rast zakonisht lexohet ose recitohet kaptina “Jasin” ndërsa Sad’k hanëmeja i dinte përmendësh të tetëdhjetetre ajetet e kësaj kaptine. Ajo tashmë e ka përsëritur disa herë “Jasin” dhe gjithmonë me zë të qartë e recitonte suren e cila thotë: “Lavdi atij që krijoi të gjitha çiftet, si midis bimëve që i prodhon toka, ashtu edhe midis jush, njerëzve dhe midis gjërave, që njerëzit nuk i njohin!”
Zëri i butë i Sad’k hanëmes tashmë kishte filluar t’i kumbonte Zyflies si një lutje e thjeshtë gjumi; sytë që tashmë një orë ishin picërruar në pasqyrë, vetëm se kishin filluar të lotonin, ndërsa imazhi i hënës në pasqyrë, që në fillim dukej si ar i shkrirë, tani kishte nisur të përzihej dhe të ngjyrosej me ngjyra të ndryshme, herë të kuqe, herë jeshile dhe herë blu.
Dhe kur për herën e pestë Sad’k hanëmeja e përfundoi “Jasinin” me fjalët për Allahun: “Kur ai dëshiron të bëhet diçka, thotë: Bëhu! Dhe ajo bëhet…”,  Zyflija u drodh në heshtje, më pas bërtiti duke e hedhur pasqyrën mbi lehen e mbjellë me lule shumëngjyrëshe dhe i mbuloi sytë me shuplakat e duarve.
Sad’k hanëmeja e përqafoi menjëherë dhe e pyeti me nxitim:
– A e pa, kush është ai?
Por Zyflija vrapoi tek e ëma dhe e vuri kokën në prehrin e saj.
– Ja, pra komshike! Të thashë unë se do të ma çmendësh vajzën.
Ndërsa Sad’k hanëmeja vazhdoi me pyetje, por edhe e ëma ia shkeli syrin që ajo të mos pushonte duke pyetur. Por kot, sepse Zyflija nuk e ngrinte kokën duke i dhënë shenjë me dorë Sad’k hanëmes të mos pyeste më.
Kur Sad’k hanëmeja shkoi të kalonte nëpër kapixhik në bahçen e saj, Zylfija e përcolli atë dhe Sad’k hanëmeja nuk u durua pa pyetur përsëri:
– A e pa?
– E pashë! – pëshpërit Zyflija duke u dridhur.
– Më thuaj tani?
– Zyflija u drodh, e përqafoi Sad’k hanëmen, ia mbështeti kokën në supe dhe i pëshpëriti:
Daut efendia i Sali agës – dhe menjëherë i dha vrapit nëpër bahçe sikur drenushë. Pasi hyri në shtëpi ajo njëkohësisht i futi gishtat ne veshë që të mos dëgjonte asgjë se çfarë do të thoshte Sad’k hanëmeja pas saj.

Gjakova, 1933 (Foto: Ahmet Y. Zherka)
*
Gjynahu le të varet mbi shpirtin e Sad’k hanëmes, sepse ajo nuk e mbajti fjalën. Qysh nga ajo mbrëmje, që kur Zyflijes iu paraqit në pasqyrë fytyra e të përzgjedhurit, nuk kaluan disa ditë dhe atje poshtë, nga bahçja e thellë në atë vargun e shtëpive, ku gjendet edhe shtëpia e Sali agës, një mbrëmje u dëgjua një zë i butë i gërnetës. Deri atëherë Daut efendisë nuk i pëlqente gërneta, por ai e gjeti një usta të mirë që i binte asaj dhe e luti që ai të vinte çdo mbrëmje në shtëpinë e tij. Dhe çdo mbrëmje ajo gërnetë dërgonte prej aty tingujt të butë, por për çdo mbrëmje këta tinguj ishin më të dhimbshëm, gjithnjë më vajtues. Dhe këta tinguj gjatë gjithë natës shkonin herë të njëra zemër e herë te tjetra. Ah, Zyflija tani i kuptonte këta tinguj!

Që nga ajo kohë, në kapixhikun e Latif agës u hap një vrimë e vogël sikur atë ta kishte hapur miu me dhëmbët e vegjël e të mprehtë dhe njëra prej kangjellave të penxheres paksa u veçua prej të tjerave, ndërsa në sytë e Zyflijes u duk se diçka u turbullua.

Dhe nëse më herët Dauti kalonte një herë në javë apo nuk kalonte fare nëpër Mëhallën e Llokaçit, tani nuk kalonte ditë e ai të mos shihej atje. Një ditë ai kaloi këndej pari dhe e hodhi një kokërr rëre në kangjellat e penxhereve të Latif agës. Në ato çaste në harem ishin duke kuvenduar mes vete edhe dy-tre hanëme; kur kokrra e rërës goditi në kangjele, hanëmet e panë me habi njëra – tjetrën duke thënë:

– Ah shejtan he shejtan! Ai axhamia i Salih agës! – tha njëra prej tyre.
Dhe Zylfija e pa Sad’k hanëmen të skuqur në fytyrë dhe me shikimin përdhe.
Një ditë, pak para akshami dikush i ra kapixhikut dhe nëpërmes vrimës Zylfija e pa një djalosh të panjohur. Kur e hapi derën, djaloshi i lëshoi asaj në dorë diçka të mbështjellë në një copë letër.
– Çfarë është kjo? – pyeti Zylfija.
– Nuk e di! – u përgjigj djaloshi.
– Kush të dha?
– Për ta sjellë këtë porosi te ju, Dauti i Salih agës ma dha bakshish një metalik.

Zylfia e mbylli kapixhikun me shpejtësi; u soll vërdallë duke shikuar se mos vallë e kishte parë dikush prej familjarëve; e futi letrën në gji; pastaj ethet ia pushtuan kockat dhe duke vrapuar në dhomë ajo e futi kokën drejt e nën jastëk.

Kur frika i kaloi pak, e shpalosi letrën dhe brenda e gjeti një fije mëndafshi, një kokërr të karafilit të zi dhe një cigare të tymosur deri në gjysmë. Në ethe ajo prapë i mbështolli të gjitha ato në atë letër dhe nëpër kapixhik me turr shkoi te Sad’k hanëmeja. Së pari e përqafoi duke e lutur; aman mos i thuaj asgjë së ëmës. Ajo rrëfeu se Daut efendia i kishte dërguar diçka, por nuk po e kuptonte se çfarë haberi bartnin ato porosi.

Sad’k hanëmeja e shpalosi letrën, i kontrolli gjërat, mendoi vetë me vete dhe më pas i shpjegoji Zylfijes.

Karanfili i zi këzën do të thotë: “Dije se je në zemrën time!”; me këtë perin e mëndafshit ai dëshiron të thotë: “Shpirti im të do shumë!”, ndërsa kjo cigare e tymosur përgjysmë do të thotë: “Po digjem për ty!” – ja pra këto janë haberet që Dauti t’i ka dërguar ty.

– Po prej ku më njeh ai që të më dojë? – pyeti me naivitet Zylfija.
Ah, tani ai ka dëgjuar sa e bukur je dhe e di që ti e ke parë fytyrën e tij në pasqyrë.

Zyflija u thellua në mendime; sytë ia përshkroi një frymë e ngrohtë dhe dy gjinjtë të plotë, të rrumbullakët si dy portokaj gufuan nën këmishë dhe ajo u shtri mbi to, ajo i mbuloi sytë me të dyja duart dhe disa pika lot iu rrokullisën faqeve duke ia lagur gishtat e dorës.

– Pse po qan si e çmendur? – e pyeti duke e përqafuar Sad’k hanëmeja.
– Nuk e di!… – foli mes lotësh Zyflija.
– Leri brengat… duhet të mendojmë se çfarë do t’i dërgosh atij. Ai e pret përgjigjen me padurim.
Zylfija i hoqi duart prej syve dhe një buzëqeshje vajzërore iu vërejt në buzët e saj.
Pra, çfarë duhet t’i dërgojmë?
– Po deshe – tha Sad’k hanëmeja, pasi u mendua pak – një bujashkë dhe një copë letër, një gur të vogël dhe disa copa të qeramidhe.
– Po, çfarë do të thotë guri?
– Guri do të thotë: “Mos derdh lot për mua!”
– Po letra?
– Letra do të thotë: “Iu largoftë pikëllimi!”
– Po bujashka dhe copat e qeramidheve?
– Bujashka do të thotë: “sytë e mi të shikojnë ty”, ndërsa copat e qeramidheve: “dil çdo herë pranë portës së shtëpisë!”
– Pra, duhet t’i themi kështu atij? – pyeti Zylfija.
–  Ashtu, këzën! – e ngushëlloi Sad’k hanëmeja.

Dhe Sad’k hanëmeja doli nëpër bahçe, e gjeti një bujashkë, një guri të vogël dhe disa copa të qeramidheve, më pastaj e gjeti një letër të vjetër të Salim efendisë prej nga e hoqi një copë të vogël letre dhe e detyroi Zylfijen që të vrapojë në shtëpi dhe të sjellë një çevre të bukur, që të mund t’i mbështillte të gjitha gjësendet dhe pastaj Sad’k hanëmeja u sigurua që djaloshi i parë që do të kalojë nga sokaku t’ia dërgonte Daut efendisë çevren.

Zylfija qëndroi akoma në çardak te Sad’k hanëmeja me qëllim që ta tymoste gjysmën e cigares që do t’i niste Daut efendisë. Se duhej vepruar kështu asaj i tha Sad’k hanëmeja.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcë për kulturë

Ky tregim me titullin origjinal “Sevdah” është pjesë e librit “Ramazanske večeri” të cilin Branisllav Nushiq (1864 – 1932) e shkroi më 1898 gjatë shërbimit të tij diplomatik në Manastir, Serres, Selanik, Shkup e Prishtinë ku qëndroi për një dhjetë vjet. Libri i botua më 1922 por siç përshkruhet “iu fsheh lexuesit serb për gati shekull”. Përktheu dhe përgatiti: Skënder Latifi