Pesë të akuzuarit për mashtrimin e 176 blerësve të banesave në Prishtinë: Estrida Bunjaku, Burim Vokrri, Vigan Bunjaku, Xhemajl Arifi dhe Valon Orllani, janë shpallur fajtorë nga Gjykata Themelore në Pejë, duke u dënuar me 30 vjet burgim dhe 450 mijë euro gjobë.
Shpalljen e këtij aktgjykimi ndaj pesë të akuzuarve e bëri të mërkurën, kryetarja e trupit gjykues Violeta Husaj-Rugova, raportoi Betimi për Drejtësi.
Ndaj të akuzuarës Estrida Bunjaku, gjykata për veprën e parë “Krim i organizuar”, i shqiptoi dënim me kohëzgjatje prej 8 vjetësh si dhe dënim me gjobë në lartësi prej 100 mijë euro, për veprën e dytë “Shpëlarje e parave” i shqiptoi dënim me burgim prej 5 vjetësh dhe dënim me gjobë shumën prej 100 mijë euro.
Asaj do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga 15 maji i vitit 2014 deri më 15 maj 2015.
Të akuzuarit Burim Vokri, për veprën e parë “Krim i organizuar” iu shqiptua dënim me 5 vjet burgim, si dhe dënim me gjobë prej 50 mijë euro, ndërsa për veprën e dytë të shpëlarjes së parasë, dënim me burgim prej 3 vjetësh dhe dënimin me gjobë prej 50 mijë euro.
Të akuzuarit Vigan Bunjaku për veprën krimi i organizuar, iu shqiptua dënimi me burgim me kohëzgjatje prej 5 vjetësh, ku në të do t’i llogaritet koha e kaluar në arrest shtëpiak si dhe dënimin me gjobë prej 50 mijë euro.
I akuzuari Xhemajl Arifi për veprën penale shpëlarja e parave, u dënua me burgim në kohëzgjatje prej 3 vjetësh, si dhe gjobë prej 50 mijë eurosh.
Njëjtë, u dënua edhe i akuzuari Valon Orllani për veprën penale shpëlarja e parave – burgim në kohëzgjatje prej 3 vjetësh dhe gjobë prej 50 mijë euro.
Të të pesë të akuzuarve dënimi me burgim do t’u caktohet nga plotfuqishmëria e aktgjykimit, ndërsa afati për pagesën e dënimit me gjobë është 3 muaj nga dita kur aktgjykimi hyn në plotfuqi.
Në qoftë se të akuzuarit nuk dëshirojnë apo nuk do munden ta paguajnë gjobën e shqiptuar, gjykata atë do t’ua zëvendësojë me ditë të burgut, ku një ditë do t’i llogaritet 20 euro të gjobës, por dënimi nuk do i kalohet mbi 3 vjet.
E akuzuara Estrida Bunjaku u lirua për veprën penale të shkaktimit të falimentimit si dhe shmangies së tatimit, kurse i akuzuari Faton Orllani u lirua nga aktakuza për veprën penale pastrim parash.
Fillimisht, ky rast ka qenë duke u gjykuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, por që më pas është deleguar në kompetencë të Gjykatës në Pejë, për shkak të numrit të madh të të dëmtuarve, si dhe faktit se në mesin e tyre ka edhe gjykatës, andaj dhe për t’i ikur ndonjë konflikti eventual.
Sipas aktakuzës së ngritur më 12 maj 2016, të pandehurit Estrida Bunjaku, Vigan Bunjaku, dhe Burim Vokrri ngarkoheshin me veprat penale “Krim i organizuar” dhe “Mashtrim”, pasi që sipas aktakuzës, nga 2 shtatori i vitit 2009 e deri më 15 maj 2014, të tre duke vepruar në formë të grupit kriminal, kanë përfituar mjete financiare në mënyrë të kundërligjshme në vlerë prej rreth 2 milionë euro. / BetimipërDrejtësi