Gazetari Eraldo Harlicaj ka treguar eksperiencën e tij, pasi vendosi të udhëtojë me gomone drejt Britanisë së Madhe.
Në një intervistë për Euronews Albania, Harlicaj u shpreh se udhëtimi nga Shqipëria drejt Francës i kushtoi rreth 2 mijë euro, ndërsa nga qyteti francez Dunkirk, për të shkuar në Dover të Britanisë së Madhe me gomone, kostoja ishte 4 mijë paund.
Harlicaj nënvizoi se kampet në Dunkirk, kontrolloheshin nga kurdët, të cilën donin 2 mijë pand për çdo person për udhëtimin me gomone në Britaninë e Madhe.
Ndërsa, shqiptarët, të cilët ishin sekserë, përfitonin shumën e mbetur.
“Duke parë dyndjen e madhe të shqiptarëve që po tentojnë të shkojnë drejt Britanisë, mendova që ta bëja në rolin e gazetarit. Udhëtimi ka qenë me disa etapa. Fillimisht, kemi marrë autobusin nga Tirana për në Bruksel, ka qenë një udhëtim rreth 48 orë. Më pas, kemi marrë taksinë nga Brukseli në Dunkirk, aty ku nisen edhe emigrantët shqiptarë drejt Britanisë së Madhe. Nuk patëm fat ditën e parë, sepse na kapi policia franceze dhe bëmë 24 orë paraburgim. Për asnjë moment nuk e kemi bërë të ditur se jemi gazetarë.
Në Dunkirk ishte procedura më e vështirë, duhet të dorëzoheshe te kampi që kontrollohej nga kurdë, shqiptarët ishin vetëm sekserë të lidhur me kurdët dhe dërgonin njerëz atje. Trafikimin e bënin kurdët. Secili kurd mblidhte grupin e tij dhe më pas niseshin me gomone. Pjesa më e madhe e tyre ishte shqiptarë, arabë, kishte edhe afrikanë në kamp. Nuk kishte kushtet minimal. Nga Tirana deri në Francë, diku rreth 2 mijë euro.
Ndërkohë që rruga nga Franca për në Angli ishte 4 mijë paund, nga Dunkirk drejt Doverit. Kurdët kërkonin 2 mijë paund, 600 paund ishte për gomonen, sepse gomonia nuk ishte gati, duhet të vinin pajisjet dhe të të montohej nga emigrantët. Pjesa tjetër ishte nga sekserë shqiptarë. Kjo ishte ndarja e çmimit”, theksoi ai.