Në Turqi dhe Siri vijojnë ende kërkimet për të shpëtuar njerëzit nën rrënojat e tërmetit. Të dhënat e fundit konfirmojnë vdekjen e 47 mijë personave në të dy shtetet e prekura.
Numri i viktimave që shkaktuan tërmetet në Turqi dhe në Siri ka arritur në më shumë se 47 mijë persona. Sipas të dhënave të fundit të autoriteteve turke, në 10 provincat që u goditën, deri tani janë konfirmuar 40 mijë viktima. Dhjetëra mijëra persona rezultojnë të lënduar.
Në Turqi llogaritet së tërmetet mbi 7 ballë të shkallës rihter kanë shkatërruar 80 mijë banesa.
Ndërkohë në Siri organizatat ndërkombëtare humanitare thonë se ende nuk kanë të dhëna të sakta për numrin e vdekjeve. Nga ajo që kanë konfirmuar vëzhgimet në terren llogariten se janë mbi 7 mijë viktima dhe 17 mijë të plagosur. Numri mund të jetë disa herë më i madh, për shkak se shumë zona të dëmtuara kontrollohen nga rebelët.
Tërmetet që goditën në 6 shkurt Turqinë dhe kufirin me Sirinë, sipas ekspertëve mund të konsiderohen më vdekjeprurësit.
Agjencitë ndërkombëtare thonë se 26 milionë qytetarë preken direkt nga pasojat e tërmetit. Një numër shumë i madh shtëpish të bërë të pabanueshme dhe mjaft banorë po detyrohen të largohen nga zonat e dëmtuara.
13 ditë pas tërmetit misionet e shpëtimit vijojnë në Turqi, por shpresat për të mbijetuar janë shumë të pakta. Qeveria turke ka deklaruar se gjatë kësaj jave do të nisë procesi i rindërtimit, i cili pritet të jetë më i kushtueshmi në historinë e Turqisë.